Transmetuar më 16-01-2019, 18:15

“Më vjen keq që opozita nuk di aspak të shfrytëzoje mekanizmat qofshin të debatit apo kontrollit parlamentar”. Kështu e ka komentuar deputeti socialist Taulant Balla situatën e krijuar në seancën e jashtëzakonshme plenare, me opozitën që braktisi sallën.

Opozita kërkoi debat për votimin e ministrave, por kryedeputeti socialist tha se një gjë e tillë duhet bërë në bazë të rregullores.

“Ne jemi të gatshëm kurdoherë, madje që nesër nëse opozita zhvillon një kërkesë për një mocion edhe për mosbesimin e kabinetit qeveritar. Duan një mocion? Duan një interpelancë me kryeministrin? Patjetër, por duhet bërë në bazë të rregullores”, u shpreh ai për gazetarët.

Një mesazh, kreu i deputetëve të PS-së e dha edhe për presidentin Ilir Meta, duke i kërkuar dekretimin e kryeministrit Rama si kryediplomat i vendit. Sipas Ballës, kjo është një praktikë e zbatuar edhe në vende të tjera. /k.k/noa.al/