Transmetuar më 17-01-2019, 09:51

Kryeministri Edi Rama reagon lidhur me arrestimin e një grupi biznesmenësh në Tiranë, të akuzuar për mashtrim me faturat e TVSh.

Rama thotë se ulja e taksave dhe lehtësimi tërësor i biznesit, synojnë dhe uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal.

“Arrestimi i një duzine shkelësish dhe shpallja në kërkim e një tufe tjetër nga biznesi i madh, për mashtrim me taksat, është mesazh i qartë: Mos luani me taksat se ju gjen belaja”, shkruan Rama.

Gjatë ditës së sotme nën akuzën e evazionit fiskal 13 persona janë vënë në prangat e policisë së Tiranës, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Bazuar në hetimet e drejtorisë së Hetimit Tatimor të Drejtorisë së Tatimit Tiranë për veprën penale të krijimit të skemave mashtruese me qëllim kreditimin e TVSH, janë lëshuar 25 urdhra ndalimi.

Urdhrat e ndalimit janë lëshuar për 25 persona që rezultojnë administratorë të subjekteve fiktive që kanë lëshuar fatura të falsifikuara për subjekte të treta, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej disa miliardë lekësh.

Rezulton se këta persona gjatë tre viteve kanë krijuar biznese fiktive në ndërtim, duke lëshuar më tej fatura tatimore.

Mes të shpallurve në kërkim, janë edhe biznesmenë të njohur në Tiranë. /a.y/noa.al

Miliarda lekë evazion fiskal, 13 të arrestuar në Tiranë, biznesmenë në kërkim