Transmetuar më 17-01-2019, 14:10
Klement Balili ne gjykate

I vetëdorëzuari në polici i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, Klement Balili, ka dalë ditën e sotme para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku do të bëhet vlerësimi i masës së sigurisë ndaj tij.

Në sallën e gjykatës ai përfaqësohej nga dy avokatët e tij Theodhori Sollaku dhe Baftjar Rusi.

Gjyqtarja Miljana Muça tha në nisje të seancës, se avokatët e tij janë zgjedhur nga familjarët e të pandehurit gjatë fazës hetimore, duke e pyetur nëse ishte dakord me këtë zgjedhje.

“Po” tha Balili teksa pohoi dhe me kokë, për tu ulur më tej në kafazin e xhamit, mes dy policëve.

Më tej seanca vijoi me dyer të mbyllura teksa pritet vendimi ndaj tij. Gjatë ditës së sotme do të bëhet vlerësimi i kushteve të masës së sigurisë.

Balili u shoqërua me pranga në duar nga ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë ku ndodhej prej dy ditësh, drejt gjykatës.

Rivlerësimi i masës së sigurisë ndaj tij, bëhet pasi dy vite më parë u caktua në mungesë “arrest me burg”.

Janë katër akuzat që pritet ti komunikohen ditën e sotme Balilit, ku pritet vendosja e masës së sigurisë “arrest me burg”, bazuar në kërkesën e prokurorit Ened Nakuçi.

Klement Balili u vetëdorëzua këtë të martë në polici, nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës.

Akuzat e ngritura ndaj Balilit janë “Trafikim i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive” si dhe “Pastrim parash”. /a.y/noa.al