Transmetuar më 17-01-2019, 21:04

Kur kanë kaluar më shumë se 3 ditë nga masakra që ndodhi në zonën e “Unazës së Re”, në Tiranë, ku dhëndri vrau vjehrrin dhe vjehrrën dhe më pas veten, janë mësuar detaje të reja për të shkuarën e tij.

Majlind Lila, 52-vjeçari, mësohet se i kishte shpëtuar një atentati në dhjetor të vitit 2014, që ishte porositur nga burgu.

Për ekzekutimin e tij kishte porositur nga burgu Admir Tafili, ndërsa vrasësi me pagesë, Kristi Pine, do të paguhej 50 mijë euro pasi ta realizonte.

Vetë Lila e kishte denoncuar këtë ngjarje në Polici më 4 dhjetor 2014.

“Panorama” ka siguruar dhe një foto të Majlind Lilajt, e cila është shkrepur kohë më parë. Kujtojmë që nga hetimet e deritanishme është zbuluar se konflikti që solli 3 viktima nuk ka qenë i çastit, por i paramenduar.