Transmetuar më 18-01-2019, 11:01

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Kryeministrin Edi Rama, si ministër të Jashtëm.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, thotë se Presidentit të Republikës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestartë dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”, thuhet në deklaratë.

Më tej nënvizohet se në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e kreut të shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kësisoj Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që: Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Kujtojmë se Presidenti refuzoi dekretimin e Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, duke thënë se i propozuari nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.

Po ashtu deklaroi se gjatë detyrës si zv.ministër i Jashtëm ka treguar mungesë të theksuar përgjegjshmërie.

Kjo solli një përplasje deklaratash mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama, çka bëri që ky i fundit të deklarojë se do e marrë vetë drejtimin e ministrisë së Jashtme. /a.y/noa.al