Transmetuar më 18-01-2019, 14:20
Foto ilustruese

Pavarësisht ndalimit me ligj që nga data 1 janar e lojërave të fatit, policia në mënyrë të përsëritur gjatë këtij muaji, ka zbuluar vijimin e aktivitetit në mënyrë të jashtëligjshme.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar tre raste, konkretisht në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.

Tre janë proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy tavolina pokeri, një valixhe me çipsa, katër aparaturura, një njësi kompjuterike dhe dy paisje elektronike të cilat përdoreshin për organizimin e lotarive të palejuara.

Në Tiranë u procedua penalisht, F. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e subjektit të tij u gjetën dy tavolina pokeri dhe një valixhe me çipsa.

Në Elbasan u procedua penalisht M. A., 26 vjeç, pasi në lokalin e tij u konstatua duke ushtruar aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale iu bllokuan katër aparatura dhe një njësi kompjuterike të cilat përdoreshin për lojëra fati.

Në Vlorë u procedua penalisht R. S., 25 vjeç, pasi në lokalin e tij iu gjetën dy paisje kompjuterike pa dokumentacion të cilat shërbenin për organizimin e lojërave të fatit.

Policia thotë se kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë vendin deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet anti-ligjor.

Po ashtu fton këdo të denoncojë falas në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme. /a.y/noa.al