Transmetuar më 19-01-2019, 11:46

Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e re të Arsimit, Besa Shahini morën pjesë sot në prezantimin e projektit të Kampusit të ri Universitar, në “Qytetin Studenti”.

Në fjalën e rastit, kreu i qeverisë tha se kampusi i ri është një punë e nisur që në vitin 2015.

Ai deklaroi se territori rezultoi një ‘tokë e xanun’ nga politikanët e partisë që lindi pikërisht në Qytetin Studenti.

"Morën nga studentët energjinë e madhe dhe ajo që bënë ishte thjeshtë që t’i merrnin dhe pronat. Në Qytet Studenti kanë ndodhur disa ndërhyrje mikroskopike, por nuk është bërë asgjë për të përballuar ndryshimin e madh me rritjen e numrit të studentëve. Në ato godina strehohet një numër i madh studentësh. Simboli i bashkimit është marrja e mensës, nga vëllai i Presidentit demokrat të Republikës dhe kthimi i saj në loto. Po ashtu u zaptuan godina për qëllime personale. Këta nuk janë thjeshtë zbatues që mund t’i marrësh dhe ti largosh. Këta janë tashmë pronarë dhe i kanë regjistruar këto prona. U regjistrua si u regjistrua, prona nuk shpronësohet dot. E vetmja mënyrë është duke i dëmshpërblyer”, u shpreh Rama.

Teksa tha se në këtë zonë nuk duheshin bërë legalizime sepse është territor i universitetit, ai kujtoi se u bë një operacion masiv shembjesh godinash dhe i dëmshpërblyem pronarët.

Rama tha se tashmë është hyrë në një proces transformimi të arsimit duke vendosur bazën ligji i arsimit të lartë. Ndërsa sa i takon kampusit universitar, tha se do të përfundojë brenda katër viteve.

Kryeministri nënvizoi se nuk u prit protesta, për të nisur punën në konviktet e Qytetit Studenti, por se pritet nënshkrimi i marrëveshjeve për godina të tjera.

Fjala e Kryeministrit, u ndërpre nga një studente, e cila i tha “Paguhesh me taksat e mia”, teksa Rama ia kthehu, “Suksese! Tani dil jashtë të vazhdojmë punën!” /a.y/noa.al