Transmetuar më 19-01-2019, 17:24

Shpërthimi në një tubacion nafte në Meksikë ka vrarë të paktën 21 njerëz, ndërsa janë plagosur 71 të tjerë. Shpërthimi ndodhi nga rrjedhja e në tubacionin e naftës në Meksikën qendrore.

Besohet se shpërthimi ndodhi pasi tubacioni u dëmtua nga personat që vjedhin naftë në Hidalgo. Zyrtarët kanë bërë të ditur se dhjetëra njerëz po përpiqeshin të mbushnin kontejnerë kur zjarri shpërtheu të premten në mbrëmje.

Dhjetra njerëz janë dërguar në spitale me djegie. Vjedhja e naftës është një fenomen i njohur në disa vende të Meksikës. Qeveria ka bërë të ditur se një vjedhje e tillë i ka kushtuar vendit rreth 3 miliard dollarë vitin e kaluar.

Presidenti i Meksikës, Manuel Lopez Obrador, i cili nisi detyrën në dhjetor ka marrë masa të shumta lidhur me këtë cështje. Ai shkoi menjëherë në vendngjarje dhe teksa shprehu keqardhjen për atë cfarë ndodhi theksoi se lufta kundër paligjshmërisë dhe vjedhjes së naftës do të forcohet.

Pemex, ndërmarrja shtetërore e naftës në Meksikë, ka pësuar një sërë incidentesh të tjera në të kaluarën. Të paktën 37 vetë u vranë në një shpërthim në zyrat qendrore të Meksikës në vitin 2013 dhe 26 persona vdiqën në një tjetër shpërthim në një fabrikë gazi në 2012./b.l/noa.al/