Transmetuar më 06-02-2019, 13:23
Foto ilustruese

Një vajzë e mitur rreth 16 vjeçe, është abuzuar seksualisht dhe kërcënuar nga një zyrtar i policisë. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thotë se një polic nga komuna e Drenasit në Kosovë, është arrestuar si i dyshuari kryesor për kanosjen, përdhunimin, kërcënimin, rrezikimin e shëndetit, abortim të pa ligjshëm dhe një mori veprash tjera, të kryera ndaj një vajze 16-vjeçare.

Me gjithë guximin e vajzës që besoi në institucionet e mbrojtjes, duke shpresuar që do t’i dilnin në ndihmë kur ajo ishte drejtuar në stacionin policor në Drenas për ta raportuar ngacmimin seksual nga një profesor, RrGK thotë se ajo u ballafaqua me një realitet tërësisht të kundërt.

Një zyrtar policor nga ky stacion, sipas deklaratave të miturës shqiptare e Kosovës, kishte filluar ta kanosë, ta kërcënojë dhe të kërkojë prej saj favore seksuale, në këmbim të ruajtjes së raportimit që vajza e kishte bërë kundër profesorit të saj.

Po ashtu nënvizohet se polici përmes kanosjes dhe kërcënimeve kishte arritur që ta detyronte vajzën të kryente marrëdhënie seksuale me të, marrëdhënie që çoi deri në shtatzëninë e të miturës.

Po ashtu denoncohet se vajza u detyra që të abortojë fëmijën, në një klinikë dhe nga një gjinekolog që nuk i lejohet të kryej ndërprerjen e shtatzënisë.

Rrjeti i Grave të Kosovës deklaron se sipas Ligjit për Ndërprerjen e Shtatzënisë, vetëm me pëlqimin e prindit, apo të kujdesatarit, një vajzë e moshës 16 vjeçare, ka të drejtë të kërkojë ndërprerjen e shtatzënisë dhe se pas javës së dhjetë, çdo tentativë për ndërprerje të shtatzënisë është e paligjshme.

Kodi Penal i Kosovës thotë se për dhunim në rrethana që përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit, dhe të moshës, dënimi për këtë vepër është 5 deri në 15 vjet burgim. Deri në 5 vite burgim është dënimi për kanosje. Keqpërdorimi i pozitës zyrtare, sipas kodit penal, ndikon në ashpërsim të dënimeve. Ndërprerja e pajeluar e shtatzënisë dënohet deri në 8 vite burg dhe në rastet kur viktimë janë të miturit, dënimet ashpërsohen.

Ngacmimi seksual sipas kodit penal dënohet me deri në 3 vite burgim.

Denoncohet si fajtor edhe gjinekologu që kreu ndërprerjen e shtatzënisë, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, si dhe profesori, i cili u bë shkak për makthin e të resë. /a.y/noa.al