Transmetuar më 07-02-2019, 20:46
Foto ilustruese, Sanatorium

Sërish një person i vdekur nga gripi/pneumoni e rndë dhe sërish nga Elbasani. E sërish në moshë ende pa shkuar te të dyzetat. Kështu, gripi dhe pneumonitë e rënda po shkaktojnë të tjera viktima në Shqipëri pasi vetëm në pak ditë, sot pasdite u shënua rasti i katërt. Shqetësues është edhe fakti se të katër të ndjerët vinin nga qarku Elbasan, tre nga i njëjti qytet dhe tjetri nga qyteti Gramsh.

H.Ekmeçiu, 38 vjeç, banor i qytetit të Elbasanit, ndërroi jetë pasditen e sotme në Sanatorium ku ishte shtruar pas prekjes nga virusi gripal.

Burime zyrtare nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” bëjnë me dije se 38-vjeçari i shtruar në reanimacion ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve të gripit, por duke pasur edhe problematika të tjera me mushkëritë.

Ekmeçiu ishte shtruar pak ditë më parë në spital për shkak të komplikacioneve të rënda që shfaqi, ndërsa rezultoi se ishte prekur nga virusi AH1N1. Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ditët e fundit. 38-vjeçari vuante edhe nga probleme me mushkëritë çka ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.

Në këtë spital gjatë kësaj jave kanë humbur jetën edhe tre persona të tjerë nga qarku Elbasan, ndërkohë që ka dhe të tjerë të shtruar për shkak të komplikacioneve që ka shfaqur gripi. Në të gjitha rastet me vdekje, pacientët kishin dhe probleme në rrugët e frymëmarrjes.

Pra fakt është se katër viktimat e Elbasanit dhe disa të tjerë që janë aktualisht të shtruar në Sanatorium, janë prekur nga gripi i rrezikshëm, por gjithashtu kanë dhe probleme në rrugët e frymëmarrjes.

Këto fakte, hedhin alarmin dhe shtrojnë pikëpyetje të mëdha për atë që po ndodh në Elbasan.

Mos kemi të bëjmë me efektet e tmerrshme që ka sjellë Kombinati Metalurgjik?

Më shumë se dhjetë vjet më parë, NOA.al në një reportazh vëzhgimor që publikoi nga Elbasani, trajtoi çështjen e pasojave joakute (jo të menjëhershme) që shkaktonte ndotja e mjedisit të Elbasanit nga Metalurgjiku.

Mjeku onkolog që ndodhej atëherë në Qendrën Spitalore të Elbasanit, pohonte se efektet që ka shkaktuar ndotja nga Metalurgjiku për vite të tëra, nuk do të ishin të menjëhershme por pasojat gjithsesi do të ndiheshin vite më vonë.

Lind pyetja: Mos vallë kemi të bëjmë me këto efekte?

Mjekët në Sanatoriumin e Tiranës pohuan se pacientët nga Elbasani kanë probleme në rrugët e frymëmarrjes. Kjo hedh dyshimet se pikërisht ndotja e mjedisit që ka shkaktuar për shumë vite Metalurgjiku, ka sjellë efektet e veta graduale.

Nëse ka ndodhur kjo dhe banorët vendas i mëshojnë shumë këtij dyshimi, është koha që autoritetet shtetërore në Shqipëri të ngrenë alarmin dhe të shohin nëse mund të marrin masa që pasojat të shmangen sa të mundet. /noa.al/