Transmetuar më 13-02-2019, 08:34

Festa e të dashuruarve 14 shkurti, do të shoqërohet nga një event i pazakontë astronomik, pasi do të mund të shihet kometa Iwamoto, e cila është pagëzuar nga astronomët si “Kometa e Shën Valentinit”.

Kometa ndodhet shumë pranë Tokës dhe do të bëjë një “duet” me një prej objekteve qiellorë më tërheqës, galaksinë spirale NGC 2903, ndër objektet më të preferuara të astrofotografisë. Kështu do të jetë një mundësi unike për ta fotografuar kometën, teksa përshëndet galaksinë në sfond.

Kometa Iwamoto, emri teknik i së cilës është C/2018 Y1, në 6 shkurt arriti distancën minimale nga Dielli, ndërsa natën mes 12 dhe 13 shkurtit, u pa në distancën më të vogël nga Toka, 45 milionë kilometër larg planetit tonë.

Momenti më i mirë për ta parë do të jetë pikërisht mbrëmjen e 13 shkurtit, rreth orës 22.00 të kësaj të mërkure, kur do të kalojë pranë galaksisë NGC 2903.

Natyrisht që duhet pak përkushtim, pasi galaksia e ngjashme me Rrugën e Qumështit, është më shumë se 20 milionë kilometra larg Tokës, në përputhje me yjësinë e Luanit.

Për ta kërkuar në qiell, duhet të shikoni drejt Juglindjes, në të majtë të yllit Procyon, i cili është pothuajse në qendër të trekëndësit të madh imagjinar të formuar nga Sirius, Capella dhe Arturo, midis yjeve më të shndritshëm në qiell.

Sapo të keni identifikuar pjesën e duhur të qiellit, duhet të keni një palë dylbi ose një teleskop të vogël, pasi kometa nuk do të jetë e dukshme për syrin e lirë, shkruan noa.al.

Siç thotë astrofizikanti Gianluca Masi, përgjegjës i Virtual Telescope Project, për të parë kometën, qielli duhet të jetë domosdoshmërisht i errët dhe pa ndonjë ndikim drite.

Vetëm Masi dhe ekipi i tij do të mund ta admirojnë shfaqjen në qiell me sytë e tyre. Ndërkohë në faqen e Virtual Telescope Project, duke filluar nga ora 22.00 e 13 shkurtit do të transmetohet gjithçka ndodh drejtpërdrejtë, ku do të tregohet takimi mes kometës dhe galaktikës. /a.y/noa.al