Transmetuar më 16-02-2019, 07:50

Qeveria duket se së fundmi ka vendosur të përmbysë modelet e veta të zhvillimit në disa sektorë. Përpara se të niste me përmbysjen e Partneriteteve Publike-Private, apo me koncesionet e hidrocentraleve, “lufta” do të kishte fillesën me modelin e fshatrave turistikë.

Kryeministri Edi Rama do të kritikonte fort modelin që, sipas tij, gjeti të zbatuar kur erdhi në mandatin e parë ku fshatrat turistikë janë shitur si vila dhe shërbejnë si lagje verore për banorë dhe jo si asete për zhvillimin e turizmit. Në fakt, pavarësisht kritikave në mandatin Rama 1, është vijuar dhënia e disa lejeve, për po të njëjtin model që kritikohet dhe i është shpallur luftë.

“Nuk kemi për të dhënë më leje për fshatra turistikë që kthehen në lagje banimi, që janë zona banimi për ata që sot kanë mundësi të blejnë edhe një vilë në bregdet dhe pastaj ta mbajnë mbyllur. Investimet e reja në vijën bregdetare do të jenë investime të kombinuara dhe hoteleria është domosdoshmëria që ne kemi. Madje ne kemi vendosur që në rastin e dhënies së një leje zhvillimi për një resort, jo fshat turistik, resortet patjetër që do të jenë mikse, do të ketë hoteleri dhe akomodim në pjesën për vila individuale, por lejet e zhvillimit do të zbardhen në dy faza, do të bësh një herë pjesën e hotelerisë, pastaj do të marrësh lejen për të ndërtuar vila”, deklaroi Rama para investitorëve.

Kjo duket se kërkon të parandalojë precedentët ku investitorët kanë marrë leje për resorte dhe vila dhe pasi kanë përfunduar pjesën e vilave dhe i kanë shitur ato, kanë lënë të papërfunduar pjesën e hotelit apo resortit që parashikohet në projektin fillestar.

“Historia që fillojmë hapim themele, i shesim në themel, i marrim me këste e në fund përfundojmë që hoteli mbetet në letër dhe pjesa e hotelerisë mbetet një dëshirë e mirë e paralizuar. Ngremë kantierin dhe ikim e mbrapa lëmë një tjetër mëhallë njerëzish që sot kanë disa lekë më shumë dhe e përdorin mëhallën 15 ditë në vit dhe e gjithë ajo pasuri e madhe që është pasuri, mund të jetë private, por është një aset i përbashkët, mbetet një aset i vdekur. Kjo është një histori që për ne duhet të konsiderohet e marrë fund”, shtoi Rama.

Modeli i investimit në struktura akomoduese, 60% hotel, pjesa tjetër real estate

Një nga shqetësimet që është lakuar vazhdimisht për lejet e ndërtimit dhe ato zhvillimore të dhëna në bregdet, ka qenë fakti që projektet niseshin si resorte dhe përfundonin si shitje vilash në tregun e real estate. Një model i tillë është i jetësuar në një pjesë të mirë të komplekseve të zbatuara në Gjirin e Lalëzit, por edhe në Jug të vendit, në bregdetin e Jonit.

Qeveria ka zbardhur planin e saj, lidhur me modelin që do të ndiqet në investimet në struktura akomoduese, duke përcaktuar se në lejet e dhëna të paktën 60% do të jetë në funksionin hoteleri, pra për t’i shërbyer drejtpërdrejt turizmit, kurse pjesa e mbetur prej 40% do të jetë për vila private dhe që i shtohen tregut të real estate.

Raporti i ndërtimit dhe bregdetit do të jetë në favor të të dytit. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në samitin për turizmin, u shpreh se ndërtimi në struktura akomoduese do të zërë vetëm 25%, ndërkohë që 75% do të mbetet në pjesën e bregdetit dhe në funksion të turistëve për shfrytëzim. Ajo që do të bëhet në vijim, sipas ministrit, është një plan strikt monitorimi për mënyrën sesi do të zbatohen projektet e reja të investimit në struktura akomoduese. “Duhen vendosur rregulla sipas një modeli që do ta zhvillojmë bashkë. Nuk duhet të pranojmë as të biem në bumerangun e zhvillimit të turizmit masiv, as në letargjinë e mungesës së shfrytëzimit të të gjithë potencialeve për t’u fokusuar vetëm te turizmi elitar.

Modeli ynë që prezantojmë sot dhe do të implementojmë çdo ditë në punën tonë është një sistem miks, duke mbajtur në konsideratë zona specifike dhe karakteristika specifike të asaj çfarë duam të ndërtojmë në vendin tonë. Në këtë sistem, duhet të ketë rregulla të qarta investimi në hoteleri dhe struktura akmoduese. Modeli ynë i investimit duhet të ruajë një balancë mes hotelerisë dhe real estate. Nuk mund të lejojmë që për nevoja të akomodimit të një turizmi që rritet me 20% në vit, siç ishte 2018, të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh dhe të lejojmë investime pa model”,- do të nënvizonte ndër të tjera Klosi.

Blerja e një banese të paluajtshme, përfshihet si kusht te shtetësia

Një projektligj i nxjerrë së fundmi për konsultim “Për shtetësinë” trajton disa aspekte të lidhura me mënyrën sesi mund të përfitohet shtetësia shqiptare. Ndër format e lakuara, ku më tipikja është ajo me natyralizim, me birësim apo dhënia e shtetësisë për refugjatët dhe personat me mbrojtje plotësuese, jepen në detaj kushtet mbi të cilat mund të bëhet miratimi. Ajo që bie në sy në aspektin ekonomik të trajtimit të shtetësisë është përfshirja në rastet kur dikush bën një investim në vlerë jo më pak se 2 milionë euro dhe punësimi jo më pak se 100 persona në vitin e parë edhe e kushtit të banimit, shkruan ‘monitor’.

“Ligji aktual nuk ka parashikuar asnjë procedurë apo rregull që duhet të zbatohet nga institucionet përgjegjëse në këto raste, në veçanti për interesin ekonomik. Për të rregulluar këtë boshllëk ligjor, si dhe në përgjigje të rekomandimeve që janë dhënë nga Komisioni Europian, në projektligj janë parashikuar kushte shtrënguese, për dhënien e shtetësisë në rastet e interesit ekonomik, duke referuar njëkohësisht në kushtet e përcaktuara në ligjin nr.108/2013 “Për të huajt”, të ndryshuar, për dhënien e lejes së përhershme të qëndrimit, ku investimi në sektorë strategjikë, duhet të jetë në vlerën jo më pak se 2 milionë euro dhe si pasojë e tij, të jenë krijuar mbi 100 vende pune, minimalisht për një periudhë 1-vjeçare.

Këtyre kushteve, u është shtuar dhe kushti i banimit në mënyrë të vazhdueshme për një periudhë jo më pak se tre vjet në territorin e RSh-së, pas marrjes së lejes së përhershme të qëndrimit”, thuhet në relacionin e ligjit.

Lidhur me përfituesit e shtetësisë për refugjatët apo personat me mbrojtje plotësuese bie në sy kushti për një banesë.

Në nenin 9 të ligjit thuhet se “shtetësia shqiptare fitohet nga refugjati, apo personi në mbrojtje plotësuese, që ka paraqitur kërkesë dhe plotëson kushtet e mëposhtme: ka mbushur moshën 18 vjeç, ka zotësi juridike për të vepruar, ka qëndruar në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 10 vjet, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nga dita e komunikimit të vendimit për dhënien e statusit nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët, sipas ligjit për azilin në Republikën e Shqipërisë, ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë, disponon të ardhura ose burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë