Transmetuar më 16-02-2019, 16:45

Redaksionale NOA

Nëse i referohemi deklaratave të pafundme ku u trumbetua protestë maratonë, pa afat dhe me një qëllim final, rrëzimin e kryeministrit, ajo që ndodhi ishte “Shumë zhurmë për Bash’Asgjë”.

Shumë zhurmë e trumbetuar nga Lulzim Basha.

Foli gjithandej për protestë masive pa afat dhe e mbylli pas pesë orësh.

Foli gjithkund për protestë që nuk do të mbyllej nëse nuk dorëhiqej Rama dhe shpalli “rrëzimin” e tij vetëm.

Vuri në lëvizje të gjitha hapësirat mediatike dhe të gjithë personazhet politikë të opozitës, duke trumbetuar pa pushim se protesta do të ishte pa mbarim dhe do të mbyllej veçse kur të arrihej qëllimi, qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme.

Kështu, për të disatën herë që vihet në krye të protestave, Basha bëri edhe një herë, “Shumë zhurmë për Bash’Asgjë”.

Kjo u konstatua qartë dhe nga një numër protestuesish teksa largoheshin të zhgënjyer nga protesta masive ku sipas organizatorëve, u mblodhën rreth 100 mijë shqiptarë.

Disa prej tyre shprehën hapur zhgënjimin për vendimin e Bashës, duke pohuar se ishin thirrur për të realizuar aspiratën e tyre, por u lanë me gisht në gojë dhe iu kërkua të ktheheshin në shtëpi.

“E vërteta është se kjo ishte shumë zhurmë për Bash’ asgjë, duke konfirmuar edhe një herë zhgënjimin që Lulzim Basha po ngjall tek ne opozitarët që i kanë ardhur nga pas”, – pohonte Ardiani, një protestues 35-vjeçar, pak çaste pasi Basha shpalli mbylljen e protestës.

Një tjetër i pranishëm, foli për përçarje: “Si ka mundësi që Basha e mbylli protestën duke na thirrur të vijmë prapë të enjten, kur kryetarja e LSI, vetëm pak çaste para tij dhe në sy të tij, deklaroi se askush nuk do të largohej dhe se do të prisnin që Rama të kthehej të hënën në zyrë për të mos e lejuar të futej brenda”.

Pavarësisht pakënaqësisë që ngjalli mbyllja e protestës, fakt është se ajo ishte tregues i një pjesëmarrjeje jo të vogël.

Në këtë demonstratë ishin me dhjetëra mijë vetë dhe ishte një ndër tubimet më masive të viteve të fundit.

Protesta ishte edhe një test për qeverinë, duke hedhur dyshime se elektorati mund të ketë ndryshuar.