Transmetuar më 16-03-2019, 01:37

Sulmet anti-myslimane në Zelandën e Re e kapën në befasi popullatën e vogël vendase.

"Kjo është diçka krejt e papritur”, tha Chelsea Daniels e stacionit radiofonik Newstalk BZ, me qendër në Okland të Zelandës së Re.

"Ne dëgjojmë herë pas here të flitet për për këta lloj ekstremistësh në Australi. Por ne nuk kemi përjetuar kurrë diçka të tillë këtu në Zelandën e Re, prandaj njerëzit janë kaq të tronditur," tha ajo për Zërin e Amerikës në një intervistë telefonike.

Ajo tha se ngjarje të ngjashme jashtë vendit mund të kenë nxitur dëshirën e autorit të dyshuar Tarrant për të ndërmarrë këtë sulm, "por ai ka vepruar i vetëm në planifikimin e sulmit."

Christchurch, ku ndodhën sulmet, ka një komunitet të vogël mysliman prej rreth 1,000 njerëzish. Myslimanët përbëjnë afërsisht një përqind të popullsisë së Zelandës së Re prej 5 milion banorësh.

"Isha në punë kur mësova për ngjarjen," tha Mohammed Basharati, mysliman kurd nga Irani, i cili jeton në Christchurch.

"Menjëherë mendova se ishte një akt ekstremistësh islamikë, sepse kurrë nuk prisnim që këto lloj krimesh të urrejtjes të ndodhin në Zelandën e Re", tha ai për Zërin e Amerikës.

Barashati shtoi se që kur kishte shkuar për të jetuar në Zelandën e Re gati dy dekada më parë, ai nuk kishte përjetuar asnjë lloj diskriminimi për shkak të besimit të tij.

"Ne dënojmë dhunën dhe urrejtjen e çdo lloji dhe bashkohemi me të gjithë të tjerët në Zelandën e Re duke shprehur trishtim të thellë për ata që janë prekur nga këto ngjarje të tmerrshme", tha në një deklaratë Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Zelandën e Re.

"Ne i qëndrojmë pranë qytetit Christchurch dhe muslimanëve neozelandezë në paqe, solidaritet dhe ndjenja njerëzore", thuhet në deklaratë.

"Nuk ka vend për urrejtje në Zelandën e Re. Ne u bëjmë thirrje banorëve të qëndrojnë së bashku në unitet," tha komisioni, duke shtuar se "Zelanda e Re është një nga vendet më të larmishme etnikisht në botë dhe ne i mirëpresim njerëzit e të gjitha feve dhe prejardhjeve."

Ramazan Bozhdash, djali 20 vjeçar i së cilës ishte në Xhaminë Al Nur, foli me Zërin e Amerikës me telefon, ndërsa i biri Mustafa ishte në pritje të një operacioni për një plumb që i kishte depërtuar shpretkën. Gjendja e tij nuk ishte kritike, prandaj mjekët u kujdesën më parë për njerëzit e plagosur më rëndë.

"Zelanda e Re është një vend i sigurt," tha Bozhdash. "Ne kurrë nuk kemi parë një incident të tillë."

Bozhdash, i cili është turk, tha se një person si ai që qëlloi të premten, është i rrallë në Zelandën e Re. "Herë pas here mund të shikosh shpirtra të këqinj me qëllime racist aty-këtu," pranoi ai. Por ai tha se beson se numri i tyre është i vogël.

"Unë jetoj këtu prej 19 vjetësh," tha ai. "Disa njerëz po përpiqen ta njollosin këtë vend."

Kalimullah, është president i Shoqatës Pakistaneze në Canterbury të Zelandës së Re. Ai tha se anëtarët e komunitetit lokal pakistanez po mobilizohen për të parë nëse miqtë dhe anëtarët e tyre të familjes janë shëndoshë e mirë pas sulmeve.

"Nuk ka hollësi zyrtare nga autoritetet. Ka disa njerëz që mungojnë, kështu që njerëzit po shkojnë nëpër spitale për të kërkuar informacion lidhur me miqtë dhe familjen e tyre".

Por Kalimullah shtoi se anëtarët e komunitetit nuk do të frikësohen nga sulmet e së premtes.

"Ata janë të vendosur," tha ai, "incidente të tilla nuk mund ta ndalin jetën tonë të përditshme".