Transmetuar më 16-03-2019, 15:42

Nga Altin Gjeta

Shqipëria ka jetuar mes krizash pothuajse gjatë gjithë historisë së saj moderne politike. Pikërisht prej kësaj, shumë energji është shpenzuar nga faktorët e brëndshëm (qeveritë) dhe të jashtëm (burokratët ndërkombëtarë) për ta fashitur ose fshehur anomalinë si një truk ndaj gjendjes para-demokratike ku kemi pluskuar. Ndërkohë, me një vendim të  guximshëm kundrejt majisjes së pri-demokracisë sonë 30 vjeçare drejt një autokracie të  tipit one man show, opozita është tërhequr përfundimisht nga parlamenti duke i dhënë  fund fasadës hipokrite. Vazhdimi i pranisë së saj në Kuvend, pasi kishte djegur çdo mekanizëm institucional, u bë i pakuptimtë dhe vetëm sa legjitimonte një normalitet demokratik të rremë.

Mos të kemi asnjë iluzion se ky aksion sui-generis është në proporcion të drejtë me gjendjen ekstremisht të rëndë në të cilën ndodhet vendi. Të gjithë treguesit socio-ekonomikë flasin për një rrëshqitje drejt greminës. Mjafton të kujtojmë së gjatë këtyre viteve kemi dërguar azilkërkues drejt vendeve të BE-së krahasimisht dhe herë-herë më shumë së vende të  Lindjes së Mesme të zhytura në konflikte civile. Balancat kushtetuese mes pushteteve kanë  degraduar totalisht sa as për formalizëm nuk pyet më kush. Skandalet qeveritare janë  kthyer në  normalitet, ndërsa media serioze, si ‘Zëri i Amerikës’, kanë nxjerrë në dritë fakte sesi pushteti në bashkëpunim me botën e krimit blejnë vota duke minuar themelet e një  demokracie përfaqsuese, lirinë për të zgjedhur.

Në këtë linjë, raporti i fundit i Freedom House rreth një muaj më parë i titulluar Demokracia në  tërhqje e ka cilësuar Shqipërinë përsëri vend pjesërisht të lirë dukë mos bërë asnjë hap përpara. Ndërsa, Departamenti i Shtetit në një raport të dy ditëve të fundit e konsideron Shqipërinë si vendin më të korruptuar në rajon. Në këto rrethana kur opozita ka dalë në rrugë duke ravijëzuar në publik krizën politike përtej fasadës së cirkut shëtitës të qeverisë, kanë ardhur edhe reagimet e para të komunitetit ndërkombëtar, i cili nën qeverinë e Edi Ramës i ka lënë mënjanë formalizmat diplomatikë dhe disa herë ka zbritur vetë në fushën e lojës.

Duke ndjekur një trajektore historike, ata e kanë konsideruar të papranueshme vendimin e opozitës, pasi sipas tyre në një vend demokratik jeta politike zhvillohet brenda institucioneve. Gjykoj, se bash për këtë, ka ardhur koha që shqiptarët të mos i marrin më seriozisht ndërkombëtarët të cilët kanë tre dekada që vijnë e shkojnë pa mundur të sendërtojnë ato parime të cilat proklamojnë se mbrojnë. Përkundrazi, duket se politikat e tyre, bazuar në qasjen top-down (imponimin e reformave nga lart nëpërmjet kondicionalitetit në rrugën e integrimit europian), kanë qenë kundërproduktive. Rasti më i freskët sesi komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në narrativën e tij pro-demokratike është reforma në drejtësi, e cila u imponua si një platformë transformuese. Kane kaluar të paktën dy vite që kur reforma u miratua, por duket se e ka zhytur sistemin në një amulli totale dhe askush nuk është në gjendje të thotë se cilat janë produktet e saj. Duke marrë shkas nga ky rast i fundit dhe angazhimi i tyre prej tri dekadash, dua të shtroj dy probelme që, në fakt janë edhe dy anë të së njëjtës medalje, e që lidhen edhe me aksionin e fundit të opozitës.

Të dy problemet kanë të bëjnë me legjitimitetin, i cili në rastin që po flasim ka pasoja dykahëshe. Të jemi të qartë, nuk është e panjohur që komuniteti ndërkombëtar të angazhohet në shtete të dobëta si Shqipëria për të ndihmuar në forcimin e institucioneve të cilat mandej japin garanci për mirëqënien e qytetarëve të shteteve respektive, por që plotësojnë edhe agjendat e tyre të sigurisë. Në rastin e Shqipërisë anagazhmi i tyre ka sjellë dy probleme me legjitmitetin.

Së pari, reformat që ata kanë projektuar nuk kanë prodhuar rezultatet që priteshin në një terren të panjohur për ta, duke sjellë kështu gërryerjen e atij që, studiuesit e shkencave politike Krasner dhe Risse e quajnë output legitimacy ose legjitimet i produkteve. Kështu ato janë zhytur në politika afatshkurtrua duke mbëshetur liderë të korruptuar për hir të parimit, stabiliteti i pari. Kjo ka bërë që në Shqipëri, por edhe në rajon të shpërthejnë protesta kundër asaj që Florian Bieber, profesor për Studime të Europës Juglindore e ka titulluar, stabilitokraci e cila ka lulëzuar me mbështetjen e ndërkombëtarëve. Së dyti, ndërsa vendet (në tërësi në Ballkan) nuk kanë bërë hapa substiancialë përpara, përkundrazi kanë rrëshqitur në autoritarizëm, legjitimiteti që komuniteti ndërkombëtar i’u ka dhënë liderëve tanë politikë është demaskuar totalisht. Ndërsa në Bruksel Rama paraqitet si një demokrat, në Shqipëri është në prag të instalimit të një autokracie mbytëse, ku nuk qeveriset, por korruptivisht administrohet pushtet në kurriz të lirisë së qytetarëve dhe përparimit të vendit.

Kësisoj, shqiptarët duhet të refuzojnë propagandën bajate të qeverisë e cila në mes të një krize shumëdimensionale, kërkon të marrë oksigjen nga deklaratat standarde të disa euro-burokratëve, larg ose symbyllazi nga realiteti ynë. Duhet, njëherë e mirë, t’i japim fund konsakrimit nga ndërkombëtarët të pushteteve në Tiranë. Andaj, vendimi për djegien e mandateve nga opozita është një hap për të rrëzuar fasadën e hollë me të cilën jemi mbështjellë për kaq kohë. Si i tillë, aksioni i saj duhet parë si një hap serioz për t’i dhënë fund rrëshqitjes së mëtejshme në autoritarizëm.

*Autori po kryen studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Politikë pranë Universitetit të Westminsterit, Londër.