Transmetuar më 21-03-2019, 23:44

Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një të mituri shqiptar nga Kosova, ka ndodhur në Zvicër.

Gjatë ditës së sotme, rreth orës 12:30, një i mitur 7-vjeçar me prejardhje nga komuna e Lipjanit është vrarë në rrugën St. Galler-Ring të Bazelit.

Sipas mediave zvicerane, djali ishte duke shkuar në shtëpi, pas përfundimit të mësimit, kur edhe është qëlluar me thikë.

I mituri është gjetur në rrugë nga mësuesi i tij dhe më pas është dërguar me urgjencë në spital por nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve.

Vogëlushi 7 vjeçar i cili ka marrë thikë në fyt, ka mbetur i shtrirë për rreth gjysmë ore në rrugë me gjakderdhje të madhe, njofton albinfo.ch nga burime të afërta të familjes së djalit të vrarë.

Nëna e të miturit ka qenë në shtëpi duke pritur djalin për drekë, ndërsa babai në punë kur ka ndodhur krimi makabër.

“Nëna e djalit nuk e ka ditur rastin si ka ndodhur deri në ora tetë e mbrëmjes, pasi që policia i ka thënë asaj një makinë e ka goditur. Ajo këtë ka kujtuar, sepse nuk e kanë lënë ta shoh djalin e saj”, tregon për albinfo.ch një i afërt i familjes.

Pas veprimeve hetimore mësohet se një grua e moshuar u pa duke u larguar nga skena e krimit.

75-vjeçarja zvicerane u kthye në zyrën e prokurorit publik në Waaghof dhe rrëfeu për krimin, ku më pas u arrestua.

Mbeten të paqarta shkaqet e vrasjes, ndërsa banorët janë të tmerruar në lidhje me këtë ngjarje./a.k/noa.al/