Transmetuar më 27-03-2019, 19:56

Në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, kryeministri Edi Raa ndërmori sot një valë shkarkimesh dhe emërimesh në sektorët më të rëndësishëm të administratës shqiptare.

Drejtorja e Përgjithshme e Doganave, Belinda Ikonomi u shkarkua nga kjo detyrë që e mbante prej 27 shtatorit të vitit 2016.

Më herët Ikonomi ka qenë në post drejtues në bashkinë e Tiranës kur atë e drejtonte Edi Rama.

Belinda Ikonomi

Nga nesër, Belinda Ikonomi do të jetë krahu i djathtë i Belinda Ballukut, pasi me kërkesën e saj të fundit, z.Rama e emëroi zëvendësministre të Financave dhe Ekonomisë.

Në vend të Ikonomit, raporton noa.al, u emërua sot, drejtor i Përgjithshëm i Doganave, Arlind Gjokuta.

Më herët Gjokuta ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i DPPPP (Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave në varësi të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është ndër drejtoritë me më shumë staf. Ajo përbëhet nga 1.052 punonjës, të shpërndarë në nivel qendror dhe vendor.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përbëhet nga 400 punonjës.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u shpall dhe shkarkimi i Vasilika Vjero, e cila ishte drejtore e Përgjithshme e Tatimeve.

vjero

Në vend të saj, u emërua Enton Duro, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.

Më herët Enton Duro ishte drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Taksës mbi Pasurinë.

Këto dy lëvizje erdhën me propozimin e Kryeministrit Edi Rama dhe nuk u bënë të ditura arsyet.

Sakaq, i paqartë është edhe vendimi që u mor po sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, për zonjën Albana Shkurta.

Me propozimin e Kryeministrit, Albana Shkurta, u shkarkua nga posti i zëvendësministres së Financave dhe Ekonomisë.

Shkurta ka qenë më herët në post drejtues në Albanian Drink & Distribution dhe nuk dihet nësë do të rikthehet në këtë kompani ku ishte aktive për shumë vite.

Albana Shkurta qëndroi në postin e zëvendësministres për afro gjashtë vjet.

Po sot, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave shkarkoi prefektin e Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja.

Në vend të tij, Valdrin Pjetri u emërua prefekt i Qarkut të Shkodrës.

Nuk dihet nëse shkarkimi i Milljes ka lidhje me zgjedhjet vendore dhe me planet që po bën z.Rama për kandidimin e emrave të PS për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit.

Më herët, javën e kaluar, z.Rama shkarkoi nga detyra prefektin e qarkut Elbasan dhe pak ditë më vonë njoftoi kandidimin e tij për kryetar të bashkisë së Elbasanit.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë u lirua nga detyra edhe Rudolf Papa, anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.

Mësohet se Papa u largua nga kjo detyrë për shkak të dorëheqjes, por arsyet nuk u bënë publike. /a.b/noa.al/