Transmetuar më 05-04-2019, 23:43

Policia greke tërhoqi zvarrë qindra emigrantë që u mblodhën pranë qytetit të Selanikut, me shpresën për të hyrë në Maqedoninë e Veriut.

Përleshjet shpërthyen në Diavata, kamp emigrantësh, pas thashethemeve në mediat sociale se kufiri për emigrantë do të hapet.

Gazeta greke Kathimerini tha se dhjetëra migrantë po ashtu protestuan në stacionin hekurudhor të Athinës, Laris, duke shkaktuar pezullimin e shërbimit të trenave.

Sipas njoftimeve, disa emigrantë jashtë kampit Diavata hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila më pas u përgjigj me gaz lotsjellës.

Mediat greke i përshkruan si "lajme të rreme" shkrimet në Facebook rreth planeve për një kalim të organizuar të kufirit me Maqedoninë e Veriut.

Dhjetëra-mijë emigrantë mbeten në kampet e mbipopulluara në Greqi.

Ata kanë arritur atje masivisht në vitet 2015-2016 dhe përfshijnë shumë afganë, sirianë dhe irakianë.

Në atë krizë, Gjermania kishte pranuar mbi 800 mijë azilkërkues.

E drejta ndërkombëtare ua jep të drejtën e azilit njerëzve që ikin nga lufta apo persekutimi.

Fluksi i emigrantëve në Evropë ka rënë pasi Turqia ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropian për t’i ndaluar anijet e rmigrantëve në Detin Mesdhe dhe pasi vendet e Ballkanit kanë ndërmarrë kontrolle më të rrepta kufitare.