Transmetuar më 06-04-2019, 23:35

Tirana do të ketë shumë shpejt një tjetër xhevahir, Teatrin e ri Kombëtar. Duke folur për emisionin “Mos i fol shoferit” nga aktorja Rudina Dembacaj, Veliaj siguroi se kryeqyteti do të ketë një teatër të ri në vend të teatrit të vjetër me hapësira disa herë më të mëdha se ai aktuali.

“Do të ketë një teatër të ri në vend të teatrit të vjetër, që është 9 herë më i madh si hapësirë, që s’i kushton asnjë taksë qytetarëve dhe që do të jetë sukses si sheshi “Skënderbej”, si Pazari, si Bulevardi i Ri, si Liqeni”, tha ai.

E konceptuar si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë, e dedikuar vetëm për art, shtëpia e re e artistëve do të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për aktrim, ashtu si për publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën.

“Në dallim nga sot kur aktorët zhvishen në korridor, me banjo allaturka, ku duhet të mbajnë radhë, teatri i ri ka dhoma zhveshje që janë patjetër të izoluara, ka sallë make up, ka sallë ngrohje zëri, që s’kanë ekzistuar më përpara, si dhe salla e provave. Nëse duan që njerëzve t’u japin një shije se çfarë po gatuhet aty, aktorët mund ta hapin perden”, sqaroi Veliaj.