Transmetuar më 17-04-2019, 21:32

Një emër i madh i futbollit gjerman do të kthehet në ekipin e Bayern në fillim të vitit të ardhshëm. Oliver Kahn do të marr postin e Karl-Heinz Rummenigge, njoftoi presidenti i bavarezëve Uli Hoeness.

"Është planifikuar të fillojë punë më 1 janar 2020. Ne jemi në bisedime shumë konkrete me Oliver. Sidoqoftë, ne nuk jemi nën presion, sepse Karl-Heinz e zgjati kontratën e tij deri në fund të vitit 2021", tha Uli Hoeness.

Kahn, 49 vjeç, është zgjidhja ideale e bavarezëve për për të zëvendësuar Rummenigge që synon të dalë në pension nga pozita e tij në krye të bordit pas gati 20 vjetësh. Duke iu bashkangjitur bordit, ish-portieri do të testojë aftësitë e tij dhe paraardhësi i tij do ta ndihmojë atë të fitojë përvojë.

"Më pëlqen zhvillimi i Oliver pas karrierës së tij si futbollist. Ai ka avancuar shumë si ekspert televiziv për futbollin. Zhvilloi një kurs për administrim-biznes dhe themeloi kompaninë e tij. Këtu kemi dikë që ka luajtur futboll në nivelin më të lartë dhe që në të njëjtën kohë është i aftë në fushën e biznesit, gjë që na ngacmon," shpjegoi presidenti i Bayern.

Kahn ka lindur në Karlsruhe dhe ka luajtur në Bayern nga vitin 1994 deri në 2008. Ai fitoi tituj të shumtë me kampionët gjerman, duke përfshirë Champions League në vitin 2001. Ai aktualisht drejton kompaninë Goalplay dhe punon si ekspert futbolli për ‘ZDF’, kanali i dytë i televizionit publik gjerman. /k.k/noa.al/