Transmetuar më 20-04-2019, 08:32

Para se t’i hedhësh luleshtrydhet apo boronicat që nuk janë shumë të freskëta, mendohu edhe një herë. Është java e Pashkëve dhe në vend që të përdorësh bojëra me kimikate, përdor një mënyrë më natyrale.

Është shumë e thjeshtë: mjaftojnë disa lëkura qepe, disa bustina çaji të përdorura dhe mund të përfitosh disa ngjyra natyrale për vezët e festës, pa asnjë kosto.

Përbërësit: Lëkura e dy qepëve, 1/2 filxhan (çaji) luleshtrydhe, 1/2 filxhan boronica, 3 bustina çaji të përdorura, lëkura e një panxhari, uthull e bardhë e përpunuar, ujë, tenxhere, kavanoza qelqi, vezë të ziera

Përdorimi:

1.Mblidhi të gjithë përbërësit natyrorë bashkë. Sa më shumë të kesh nga çdo përbërës, aq më e fortë do të jetë ngjyra. Lëkurat e qepës dhe boronica krijojnë ngjyra të forta, ndërsa çaji jeshil dhe luleshtrydhet lënë ngjyra më të lehta në vezë.

2.Shto dy gota me ujë në një enë të vogël dhe pastaj një nga përbërësit për të krijuar ngjyrën. Lëre të vlojë për 10 minuta. Mund të kesh disa përbërës për të krijuar ngjyra të ndryshme në të njëjtën kohë, kështu që mund të shfrytëzosh edhe enë të tjera në të njëjtën mënyrë.

3.Pas 10 minutave, hidhe lëngun e përftuar në kavanozë qelqi ose edhe enë të tjera që ke në shtëpi. Shto një lugë gjelle uthull në çdo ngjyrë, dhe lërë në temperaturë dhome.

4.Ndërsa pret që lëngjet të ftohen, mund të përgatitësh vezët e ziera. Nëse ke geta të grisura, mund t’i përdorësh për t’i bërë vezët më interesante duke u lidhur objekte të ndryshme pranvere, bimë, gjethe, lule etj. (Këtë mund ta bësh edhe duke përdorur rrjetë të hollë ose spango.)

5.Futi vezët në enët me bojë dhe lëri përreth dy orë. Vendosi me kujdes në një peshqir të thatë ose letër kuzhine.

6.Pasi t’i kesh nxjerrë nga enët, futi në frigorifer dhe lëri për disa orë ose edhe për gjithë natën.

7.Vendosi në një enë të bukur ose në një pjatë zbukurimi duke i kombinuar ngjyrat.