Transmetuar më 21-04-2019, 21:32

Pas 12 ditë hetimesh, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zbuluar servisin ku është modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u përdor nga Admir Murataj dhe bashkëpunëtoret e tij në grabitjen e afro 10 milionë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se ky servis ndodhet në Elbasan dhe policia ka marrë në pyetje pronarin për të bërë të mundur identifikimi e atyre që e kanë porositur modifikimin.

Hetuesit janë tepër të rezervuar në dhënien e informacionit, por zbulimi i servisit është bërë nga këqyrja e qindra orëve filmime të kamerave të sigurisë, nga ku ka kaluar ky mjet.

Nuk bëhen të ditura ato që ka deklaruar ky person, por dëshmia e tij është mjaft e vlefshme, pasi nga aty mund të shkohet tek autorët e tjerë. Ky furgon është një minierë për grupin hetimor, pasi autorët aty kanë lënë mjaft prova, nga gjurmë gishtat, deri të fije floku, që mund të shërbejnë për zbulimin e grabitësve.

Hetuesit kanë dyshime se pjesë e këtij grupi të ketë qenë edhe një femër, e cila ka kryer veprime aktive në grabitje. Policia gjatë këtyre ditëve ka mbledhur dëshmi dhe të dhëna në disa qytete të vendit, si Tiranë, Elbasan, Fushë-Krujë dhe janë bërë hapa konkretë që mund të çojnë në zbulimin e grabitësve të tjerë. Gjithashtu, edhe për personin i cili dogji një furgon në afërsi të Bathores, për të shpërqendruar policinë, janë gjetur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tij.