Transmetuar më 22-04-2019, 12:00

Deputetja demokrate Rudina Hajdari reagon pas krijimit të partisë “Bindja demokratike”. Ajo thotë se po ndjek çdo moment me vëmendje dhe ndjeshmëri, përpjekjet që bëhen për zhvillimin dhe prosperitetin e jetës politike në vend.

Hajdari deklaron se krijimin e çdo forumi të ri politik, e shikon si një hapësirë më shumë, për demokratizimin e politikës dekadente që ka përfshirë vendin dhe gjithsecilit i uroj rrugëtim të mbarë dhe suksese në përpjekjet e tij.

Për deputeten demokrate, është e kuptueshme se shqiptarët janë tejet të lodhur e të shqetësuar nga kjo politikë e mërzitshme dhe e dëmshme 28-vjeçare dhe për këtë arsye krijimi i një alternative të re, të vërtetë dhe shpresëdhënëse që ka për qëllim interesin publik, përfaqësimin qytetar dhe një politik-bërje të re me standarde perëndimore do të ishte një iniciativë për t’u gëzuar.

Megjithatë ajo mohon që të jetë drejtuesja e partisë së re.

“Ajo që më bën përshtypje në kushtet e “psikiatrisë politike” ku jemi futur është fakti që personalisht, pa dhënë asnjë deklarim apo pa ndërmarrë asnjë iniciativë lidhur me këtë, më cilësojnë si kryesuse të një forumi të ri që po krijohet, por nga kontaktet që zhvilloj anë e mbanë vendit, dhe kudo ku ka shqiptarë të ndershëm, duke respektuar dhe festat e Pashkëve, nuk jam shprehur më parë. Pak ditë më parë, në deklarimin që bëra në Parlament, shpreha vullnetin e grupit që kryesoj dhe ky do të mbetet angazhimi im kryesor. Natyrisht, në rrugëtimin që kemi nisur, prania e demokratëve të ndershëm dhe gjithë atyre që aspirojnë një demokraci të vërtetë, do të jenë mbështetja e jonë”, shprehet Hajdari.

Ajo nënvizon se shqiptarëve u duhet “një elitë e re politike” dhe këtë thotë se e konsideron një obligim parësor, përgatitjen e një formule të përshtatshme përfaqësimi politik, në mënyrë që deputetët dhe të zgjedhurit t’i caktojnë qytetarët dhe jo kryetarët e partive.

Sipas saj, ka shumë modele që mund ta realizojnë këtë qëllim, që nga sistemi i pastër mazhoritar, e deri tek ai proporcional kombëtar me lista të hapura nëpërmjet të cilave shpresojmë të nxjerrim jashtë të gjithë elementët e korruptuar që vijnë nga bota e krimit, që me drejtimin e mazhorancës qeverisëse, e kanë futur vendin në një drejtim pa shpresë dhe të ardhme. /a.y/noa.al