Transmetuar më 23-04-2019, 16:09

Një grup të rinjsh demokratë dhe disa studentë i bën ditën e sotme një “surprizë” ministrit të Turizmit, Blendi Klosi.

Ata i dhuruan hartën e Shqipërisë, e cila pasqyron vendin tonë si një Republikë Kanabisi, duke e argumentuar me mbështetjen e kultivimit të hashashit nga qeveria e Edi Ramës.

“Agjencia turistike ‘Rilindja’ ka punuar në këto 6 vite fuqishëm për largimin e 500.000 shqiptarëve nga vendi dhe braktisjen e plotë të plazheve shqiptare nga turistët vendas dhe të huaj”, thonë të rinjtë.

Ata shtojnë se sot bregdeti ynë lëngon nga papastërtia, dhe se siguria në plazhe është pothuaj zero, ndërsa ajri është më i ndoturi në Ballkan, ashtu sikundër edhe infrastruktura në plazhe e zonat turistike malore po degradon dita ditës.

Të gjitha këto sipas të rinjve që i shkuan para ministrisë Klosit, prej mungesës së plotë të vëmendjes së qeverisë ndaj turizmit, promovimit të vlerave të vërteta që Shqipëria mbart dhe kthimin e vendit “në një Republikë Kanabisi dhe pikë kyçe tranziti për drogat e forta në Europë”.

Më tej bëhet thirrje për bashkim në protestën e opozitës më 11 maj, në ora 18:30, “për t’i thënë Edi Ramës se koha jote mbaroi”. /a.y/noa.al