Transmetuar më 24-04-2019, 01:26

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli sot regjistrimin e partive për zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Jashtë mbetën tetë parti të opozitës me në krye PD, të cilat firmosën marrëveshjen ku angazhohen për mos pjesëmarrje në proces.

Ish-presidenti Bujar Nishani, duke folur sonte në RTV Ora tha se koalicioni opozitar dhe marrëveshja e nënshkruar sot  nuk është kundër zgjedhjeve, por për garantimin e tyre.

Ai tha se gjithçka në funksion të kësaj marrëveshjeje është për zgjedhje, por zgjedhje të lira dhe të drejta për gjithëkënd.

E ndërsa mazhoranca vijon e palëkundur drejt 30 qershorit, Nishani paralajmëroi përshkallëzim të aksionit opozitar dhe mosbindje civile.

“Nuk bëhet fjalë për të bllokuar zgjedhjet por për të mos lejuar një farsë elektorale. Hapi i parë ishte pikërisht ky, moslejimi i regjistrimit formal të partive opozitare për tu bërë pjesë e farsës elektorale. Momenti i dytë vijon aksioni opozitar që ka nisur prej kohësh ku aktori kryesor është populli opozitar, revolta qytetare.

Ne kemi armët politike në dorë dhe armët politike do ti shfrytëzojmë.Armët politike janë fokusuar kryesisht te protestat, do të vinë duke u përshkallëzuar në gjithë vendin. Do të ketë akte masive të mosbindjes civile të qytetarëve shqiptarë. Jam i bindur që asnjë aventurier, kushdo që të jetë ai, nuk do të ketë kurajon e motivimin për të injoruar shumicën e dërmuese të qytetarëve sot”, tha Nishani.

Duke komentuar deklaratën e Ramës në facebook ku e cilësoi bojkotin e zgjedhjeve nga opozita një vetëvrasje politike, Nishani tha: “Është një Kryeministër që asnjëherë nuk ka qenë konseguent në qëndrimet e tij politike dhe jam i bindur që përballë presionit popullor, kjo është një betejë politike jo betejë në luftë, por nëse e shohim në retrospektivë asnjëherë drejtuesit dhe pushtetarët autoritarë nuk kanë triumfuar dot përballë masës së madhe”.

Ndaj dhe për opozitën, kushti i panegociueshëm mbetet largimi i Ramës si Kryeministër.

“Duhet t’i hapë rrugë një procesi normal ligjor. Ky njeri i provuar si prishësi i gjithçkaje të normalitetit demokratik dhe deformimit të vullnetit të qytetarëve duhet të largohet dhe më pas ulemi dhe garantojmë me mekanizmat”, theksoi ish-Presidenti.