Transmetuar më 24-04-2019, 18:17

Autoritetet policore të Atikës në Greqi kanë shkatërruar një bandë ndërkombëtare të trafikut të drogës, në tre operacione të ndryshme.

Në përfundim mësohet se shumica e personave të arrestuar janë shqiptarë.

Në operacionin e parë u evidentua një grup që importonte heroinë të pastër nga Irani për ta përpunuar në Greqi, si dhe kokainë e kanabis dhe shpërndarë më tej në tregun vendas.

Dje paradite është zhvilluar një operacion i gjerë në mjaft zona të Athinës qendrore si Ilion, Zofria, Kipseli, Dhafni dhe Sepolia, gjatë të cilit u arrestuan 5 shqiptarë të moshave 28, 31, 31, 35 dhe 53 vjeç, për të cilët u hapën dosjet penale.

Paralelisht, policia zbuloi se kokat e bandës janë dy shqiptarë të tjerë të burgosur në Greqi.

Rol qendror në importimin e heroinës së pastër nga Irani kishte 53-vjeçari shqiptar ndërsa droga e sekuestruar nëpër depot e Athinës sot konsiderohet të kishte vlerë prej 1 milion euro.

Gjatë operacionit u zbuluan depot, 2 laboratorë me të gjitha pajisjet si dhe u sekuestruan 44 kg e 475 gr heroinë, 10 kg e 800 gr pluhur që përdorej për lëndët narkotike, pistoletë, automjete, motora, celularë.

Në një tjetër operacion të policisë të Atikës, ditën e djeshme u arrestuan në Elefsina, në autostradë, një 46-vjeçar shqiptar, për transportin e 75 kg dhe 100 gr kanabis të papërpunuar.

Në vijim të operacionit, u arrestua një tjetër shqiptar 37 vjeç, në shtëpinë e të cilit u gjendën 732 kg dhe 660 gr kanabis e papërpunuar, si dhe në një tjetër depo u sekuestruan 7 kg dhe 435 gr kokainë dhe 10 kg kanabis, bashkë me 3 peshore dhe 6 celularë dhe 540 euro nga tregtia e drogës. /k.k/noa.al/