Transmetuar më 04-05-2019, 18:13
Foto ilustruese

Me dhjetëra forca speciale policore, agjentë të veshur civilë dhe komando, vërshuan sot në “Komunën e Parisit” në Tiranë, duke i sjellë banorëve dhe kalimtarëve për orë të tëra, pamje të një aksioni madhor. Shumë njerëz besuan se në këtë operacion ku u përfshinë Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me RENEA-n, FNSH-në dhe forcat Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, po rrekeshin të kapnin ndonjë superkriminel apo seria killer i kërkuar pse jo dhe ndërkombëtarisht.

Zyrtarisht policia komunikoi se në pranga u vu një i ri që kërkohej për armëmbajtje pa leje dhe kultivim hashashi.

Policia e Shtetit tha se kreu operacion për kapjen e personave në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, duke finalizuar me sukses operacionin e koduar policor "Kompleksi".

I arrestuari është Barush Bregu, 33 vjeç, lindur në Shkodër. Ai u ndalua pa rezistencë në një banesë të marrë me qera.

Policia e cilëson këtë të prangosur si pjesëtar të një grupi kriminal.

Nga ana tjetër, thotë se Barush Bregu është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike. Dënimi është dhënë në vitin 2016. E po ashtu, rezultonte me masë sigurie "Arrest në burg", për armëmbajtje pa leje, pasi në shtator të vitit 2018, në banesën e tij u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.

Nisur nga veprat penale të lehta që policia zyrtarisht thotë se rëndojnë mbi 33-vjeçarin, është e paqartë përse kapja e tij po “shitet” nga ministria e Brendshme si superoperacion për kapjen e një të shumëkërkuari.

Megjithatë, mësohet se Bregu është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë.

Policia e Shtetit tha se akuza me të cilat zyrtarizohet kapja e tij, janë armëmbajtje pa leje dhe kultivim bimësh narkotike, akuza për të cilat materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme. /noa.al/