Transmetuar më 06-05-2019, 02:32

Stevo Pendarovski do të jetë president i ri i Maqedonisë së Veriut. Ai në zgjedhjet e së dielës ka fituar kandidaten e opozitës, Gordana Siljanovska-Davkova me një epërsi prej rreth 6 për qind të votave.

Fitorja e Pendarovskit erdhi në sajë të shqiptarëve. Ata plotësuan numrin e nevojshëm të pjesëmarrësve në votime duke bërë që të mos dështonin zgjedhjet. E po ashtu ia dhanë votën më së shumti Pendarovskit, duke i dhënë kështu një tjetër shans kryeministrit Zoran Zaev që të vazhdojë të udhëheqë vendin dhe të zgjerojë të drejtat e shqiptarëve të cilët janë rreth 40 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve të publikuara rreth mesnatës, Stevo Pendarovski, kandidat i Social-Demokratëve të kryeministrit, Zoran Zaev ka fituar 432.141 vota 51.71 për qind kurse kandidatja e VMRO DPMNE-së, 373.382 vota apo 44.68 për qind. Të pavlefshme janë shpallur 30.154 apo 3,61 për qind. Nga rreth 1.8 milion qytetar me të drejtë vote, në votime kanë dalë 46,63 për qind e tyre.

“Uroj fituesin e këtyre zgjedhjeve, Stevo Pendarovskin dhe shpresoj se funksionin e tij do ta ushtrojë me sukses në pesë vitet e ardhshme. Zgjedhjet e së dielës janë zhvilluar në atmosferë të qetë dhe demokratike, por gjithë ata që kanë vërejtje apo ankesa për parregullsi mund t’i dorëzojnë dhe KSHZ-ja do t’i shqyrtojë në përputhje me dispozitat ligjore”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski.

Duke uruar zgjedhësit edhe në gjuhën shqipe, Stevo Pendarovski tha se fitorja është e arritur e madhe për Maqedoninë e Veriut që sipas tij përfundimisht do të lë pas izolimin për të çuar vendin drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Pendarovski tha se do të jetë president i të gjithë qytetarëve të vendit. "Do të jem president i të gjithëve, i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, romëve, vllahëve, boshnjakëve. Do të jem president i shtetit që nuk do të turpëroheni. Do të punojmë për të mirën e vendit, për procesin e integrimit euroatlantik. Misioni im do të jetë uniteti e jo ndarja mes popullit, që krenar të gjithë të ecim para drejt synimit kryesor, zhvillimit të vendit dhe anëtarësimit në strukturat euroatlantike”, ka deklaruar Pendarovski.

Kryeministri Zoran Zaev tha se Maqedonia e Veriut të dielën ka zgjedhur president evropian, president që nuk do të ndajë, por që do të bashkojë popullin në rrugën e zhvillimit dhe integrimit.

“Në zgjedhje fer dhe demokratike, zgjodhëm president evropian. Stevo Pendarovski me dinjitet do të jetë përfaqësues i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, vllahëve, boshnjakëve, romëve dhe të tjerëve…Shumica e qytetarëve në zgjedhje të lira dhe demokratike vendosën që Maqedonia e Veriut e sigurt do të ec përpara. Nga sot asgjë nuk është e njëjtë. Nga sot askush nuk do të mund të pengojë perspektivën e shtetit tonë. U mposhtën ata që na bënin shantazh, dhe kërcënonin të ardhmen tonë”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.

Pendarovski në zgjedhje mori një numër të madh të votave të shqiptarëve që edhe ishin vendimtare jo verëm për fitoren e tij, por edhe për arritjen e pragut zgjedhor prej 40 për qind. Kryetari i BDI-së tha se Maqedonia e Veriut ka fituar president konsensual si e arritur e madhe për vendin.

“Koha dëshmoi se demokracia konsensuale, një nga parimet themelore që përfshihet në Marrëveshjen paqësore të Ohrit është e vetmja alternativë e vendit tonë që na nderon, por edhe që na e shkurton rrugën drejt përmbylljes me sukses të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Ahmeti.

Nga VMRO DPMNE-ja opozitare, paraprakisht kishin deklaruar se kandidatja e saj, Gordana Siljanovska ka korrur fitore në shumë zona të vendit, por pa u ndalur në rezultatin përfundimtar ndërsa ka dalë me akuza të rënda në adresë të qeverisë për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.

“Kësaj radhe pushteti nuk ishte në krye të detyrës. Janë të shumta parregullsitë zgjedhore. Ky është rezultat i panikës dhe frikës. Pushteti po humb karriget. Kemi dyshime të shumta për votime familjare, transport të organizuar të votuesve dhe presion ndaj tyre. Pavarësisht kësaj, populli ka fituar, presim rezultatet të shkëlqyeshme për VMRO DPMNE-në, me numrin më të madh të votave. VMRO DPMNE po kthehet në derën e madhe”, ka deklaruar Igor Janushev nga shtabi zgjedhor i VMRO DPMNE-së.

Por, ndryshe nga VMRO-ja kandidatja e saj, Gordana Siljanovska Davkova ka pranuar rezultatin, por ka tërhequr vëmendjen nga siç ka thënë rreziqet që mund të bartë rezultati duke aluduar në ndarjen e thellë mes maqedonasve.

“Sonte e di se ka fituar pushteti, e di se ka fituar kundër-kandidati im. Rezultati është i qartë. Por çështja është se sa ky rezultat do të çojë drejt pajtimit apo bashkimit apo nëse shënon një ndarje brenda në shtet, ndarje të karakterit interentik dhe çështje tjetër është nëse sintagma “Së bashku shkojmë përpara me të vërtetë e premton një gjë të tillë”, ka deklaruar kandidatja e VMRO-së, Siljanovska Davkova.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se procesi zgjedhor ka kaluar në atmosferë demokratike ndërsa të gjitha parregullsitë e denoncuara do të shqyrtohen në mënyrë adekuate.

“Mund të konstatoj se kishim një ditë zgjedhore me parregullsi të vogla, por pa prishjen e rendit dhe të qetësisë publike. Edhe një herë uroj qytetarët dhe institucionet për organizimin e shkëlqyeshëm të procesit zgjedhor, ashtu siç i ngjan një shteti demokratik siç është republika evropiane e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar ministri i brendshëm, Olivers Spasovski duke njoftuar se gjatë ditës së diel policia ka marrë disa denoncime për parregullsi por që nuk kanë rezultuar të sakta ndërsa disa të tjera janë duke u proceduar nga organet e rendit.