Transmetuar më 07-05-2019, 10:57

Samiti i Berlinit/ Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së: Gjella e prishur e ndryshimit të kufijve të Kosovës iu hodh fytyrës atyre që e gatuan

Ish-kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaron se rezultatet e Samitit të Berlinit ishin të paralajmëruara me kohë, por thotë ai, e rëndësishme ishte që gjella e prishur e ndryshimit të kufijve të Kosovës ju hodh fytyrës atyre që e gatuan.

“Kjo ishte një fitore e madhe për integritetin territorial të Kosovës, të kushtetutshmërisë së Kosovës, e modelit të shkëlqyer të bashkëjetesës ndëretnike, që Kosova përfaqëson, si dhe fundit të shitblerjes së interesave të Kosovës për interesa të ngushta të mbijetesës personale të gjithsecilit”, nënvizoi ish-kreu i deputetëve të LSI-së. Në një intervistë dhënë dje për “Koha Jonë”, të njëjtin qëndrim thekson edhe lidhur me çështjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ku Petrit Vasili shprehet se lajmi për mos hapjen e negociatave nuk është aspak surprizë. “Asnjë njeri i politikës, por jo vetëm, e kuptonte se gjithçka po shkonte keq e më keq për integrimin europian dhe thellimit të krimit të organizuar korrupsionit dhe pastrimit të parasë është thelluar frikshëm”, thotë Vasili.

Sa i përket protestave të opozitës që pritet të kulmojnë pasditen e së shtunës në sheshin para Kryeministrisë, Vasili paralajmëron se protestat do të jenë të rrepta, shumëformëshe, dhe në mjaft raste do të jenë shumë të vështira dhe të pakëndshme për Edi Ramën. “Në këtë mes është e qartë që Edi Rama po bën një zvarritje që nuk ia zgjidh hallin, vetëm ia bën më të zi fundin. Edi Rama duke qenë i inkriminuar humbi mundësinë e një politikani me mend në kokë për të ikur një ditë përpara, dhe jo një ditë më pas. Thjesht rëndoi keqas fundin e tij dhe të shpurës se eunukëve që e rrethojnë”, shprehet ish-kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Samiti i Berlinit që u mbajt javën kaluar prodhoi dy lajme: atë për dhënien fund të diskutimit për ndryshime kufijsh në Ballkan, konkretisht, mes Serbisë dhe Kosovës; si dhe u dha paralajmërimi për mos hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Si i shihni këto zhvillime dhe çdo të thotë një vendimmarrje e tillë në qershor për shqiptarët?

Rezultatet e Samitit të Berlinit ishin të paralajmëruara me kohë. E rëndësishme ishte që gjella e prishur e ndryshimit të kufijve të Kosovës ju hodh fytyrës atyre që e gatuan. Kjo ishte një fitore e madhe për integritetin territorial të Kosovës, të kushtetutshmërisë së Kosovës, e modelit të shkëlqyer të bashkëjetesës ndëretnike, që Kosova përfaqëson, si dhe fundit të shitblerjes së interesave të Kosovës për interesa të ngushta të mbijetesës personale të gjithsecilit. Lajmi për mos hapjen e negociatave nuk është aspak surprizë. Asnjë njeri i politikës, por jo vetëm, e kuptonte se gjithçka po shkonte keq e më keq për integrimin europian dhe thellimit të krimit të organizuar korrupsionit dhe pastrimit të parasë është thelluar frikshëm. Mungesa e luftës ndaj tyre, kapja e shtetit dhe duart e lidhura përpara krimit të organizuar dhe kriminalizimi i zgjedhjeve janë në funksion të strategjisë se Edi Ramës për të bllokuar integrimin dhe për t’i lejuar politikisht vetes hapësirën për të dhënë e marrë me realitete të errëta jo europiane.

A ndikoi djegia e mandateve për këtë dështim të Shqipërisë në aspiratën e saj europiane?

Djegia e mandateve ishte një sirenë alarmi për bllokimin e integrimin e Shqipërisë, ishte ndihmë madhore për të kuptuar katastrofën ku ka hyrë vendi, ishte një sakrificë për të shpëtuar vendin nga krimi i organizuar që qeveris nga Kryeministria e gjithandej.

Këtë javë janë paralajmëruar dy protesta nga ana e opozitës, ku të enjten do ketë bllokim rrugësh, dhe të shtunën pasdite do mbahet protesta kombëtare në Tirane. Si po organizohet opozita, dhe cilat janë pritshmëritë tuaja?

Strategjia e opozitës do të vazhdojë me intensitet në rritje të pandalshme. Do të jemi të pa pajtueshëm me status quon-ë që kërkon krimi qeveritar. Shqipëria nuk është as pronë dhe as çiflig i Edi Ramës. Shqipëria është ndarë një herë e mirë me pashallarët e kuq dhe s’ka frymor që ti ringjallë ata, dhe aq më keq, një frymëfiruar si Edi Rama. Protestat do të jenë të rrepta, shumëformëshe, dhe bile në mjaft raste do të jenë shumë të vështira dhe të pakëndshme për guakët e Edi Ramës. Në këtë mes është e qartë që Edi Rama po bën një zvarritje që nuk ia zgjidh hallin, vetëm ia bën më të zi fundin. Edi Rama duke qenë i inkriminuar humbi mundësinë e një politikani me mend në kokë për të ikur një ditë përpara, dhe jo një ditë më pas. Thjesht rëndoi keqas fundin e tij dhe të shpurës se eunukëve që e rrethojnë.

Ndërkohë, fundjavën e kaluar, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë prezantuar “të ndara” programet elektorale, ku në fokus është ekonomia. Dhe ajo që dallohet mes dy platformave është nisma juaj për fshatin dhe vëmendja e shtuar tek bujqësia. Pse pikërisht kjo vëmendje ndaj bujqësisë dhe fermerëve?

Programi i LSI-së është një program madhor për perspektivën e zhvillimit që hap dhe drejtimet e qarta që përvijon. Nuk ka përthyerje parimore mes LSI-së dhe PD-së në programet respektive. Identifikimi i zhvillimit të bujqësisë si moment kyç i kthesës së ekonomisë shqiptare është maturuar prej kohësh ne LSI dhe ka qenë një lajtmotiv politiko-programor i qartë i saj, dhe i tillë do të mbetet. Kthesa në bujqësi ka shumë valenca ndikimi në jetën ekonomike dhe ekuilibrat shoqërorë të vendit. Gjithashtu, punësimi, rinia dhe arsimi mbeten prioritete të zhvilluara gjerësisisht, të cilat do të jenë edhe pika kyçe në programin e përbashkët të opozitës, e cila ndan të njëjtën ndjeshmëri të rritur për këto drejtime, ku situata është shpërthyese dhe pret përgjigje urgjente.