Transmetuar më 20-05-2019, 21:10

Këngëtari shkodran Bujar Qamili, është një nga emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare.

Prej dekadash i njohur si yll i muzikës popullore, Bujar Qamili ka bërë me dije se do të vijë së shpejti në tregun muzikor me një bashkëpunim me këngëtaren Bleona Qereti.

Kjo e fundit, e cila po zhvillon prej vitesh karrierën artistike jashtë vendit, duket se do t’i sjellë fansave të saj shqiptarë një këngë me motive popullore.

Përpara se të komunikonte bashkëpunimin me Qeretin, Bujar Qamili foli edhe për përqafimin që këngëtarët e muzikës popullore po i bëjnë së fundmi rrymës së modernizuar.

“Janë gjëra të bukura dhe duhet t’i pranojmë, por nuk duhet t’i ikim asnjëherë traditës. Kanë mbetur shumë pak këngëtarë që nuk kanë ikur, nuk dua të përmend emra”, – u shpreh Bujari gjatë një interviste televizive, duke lënë kështu të nënkuptohet se bashkëpunimi më i ri nuk do të jetë shumë larg traditës popullore shqiptare.

Një duet mes Qamilit dhe Qeretit është interesant sepse i pari njihet prej shumë vitesh si këngëtar i muzikës popullore, kurse Bleona i përket muzikës së lehtë dhe për më tepër prej shumë vitesh është larguar nga Shqipëria.