Transmetuar më 28-05-2019, 08:38

Banka e Shqipërisë ka raportuar se çmimet e banesave janë rritur me 15.2 për qind gjatë periudhës 2013-2018. Indeksi është përllogaritur mbi bazën e informacionit të raportuar nga shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët që operojnë në tregun e pasurive të paluajtshme.

Treguesit e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme sugjerojnë që oferta dhe kërkesa kanë treguar përgjithësisht rritje gjatë periudhës.

Banka qartëson se në tregun e pasurive të paluajtshme, kërkesa përgjithësisht reflekton zhvillimet demografike, ecurinë e të ardhurave dhe kushtet e financimit për blerje apo zhvillim të pasurive të paluajtshme, ndërsa oferta është e lidhur me numrin e lejeve të ndërtimit.

Nga këndvështrimi i kërkesës, të dhënat e sektorit bankar për periudhën tregojnë një rënie të lehtë të tepricës së kredisë për blerje pasurish të paluajtshme gjatë gjashtëmujorit të 2018, por nivel më të lartë në krahasim me një vit më parë.

Normat e interesit të kredisë për pasuri të paluajtshme kanë shënuar rritje të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit.

Të intervistuarit raportojnë që rreth 54% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare, nga vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, gjatë T4 2018, rezultoi se kërkesa e individëve për kredi për pasuri të paluajtshme ka ardhur në rritje, ndërkohë që kushtet e miratimit për këtë lloj kredie dhe për këtë kategori huamarrësish kanë vijuar të lehtësohen.

Koha mesatare e shitjes së pronave në rang vendi, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit, ishte mesatarisht 10.9 muaj ose rreth 1 muaj më e gjatë se në gjashtëmujorin e kaluar.

Për Tiranën dhe Zonat e Tjera, koha e shitjes është rritur me rreth 1-2 muaj, ndërsa për zonën e Bregdetit koha e shitjes është shkurtuar me rreth 2.5 muaj.

Nga këndvështrimi i ofertës të dhënat e INSTAT-it tregojnë një rritje të qenësishme të sipërfaqes dhe numrit të lejeve të ndërtimit për objekte banimi gjatë 2018. Rezultatet e vrojtimit tregojnë që vëllimet e shitjeve janë rritur vetëm për qendrën dhe periferinë e Tiranës, dhe kanë shënuar rënie në Bregdet dhe në Zonat e Tjera të vendi, shkruan ‘monitor’. Teprica e kredisë për ndërtim është rritur me 8.7% në krahasim me fundin e gjashtëmujorit të parë, dhe me 3.1% në krahasim me fundin e vitit të kaluar.

Kredia për ndërtim zë 15% të tepricës së kredisë për bizneset dhe kjo peshë ka ardhur në rritje, por mbetet nën nivelin prej rreth 20% të regjistruar gjatë harkut kohor 2007-2011. Cilësia e kredisë për pasuri të paluajtshme është përmirësuar dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në 5.7%, nga 6.8% në qershor 2018 dhe 7% një vit më parë.