Transmetuar më 28-05-2019, 09:21

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, reagon lidhur me operacionin e policisë në Mitrovicë.

Ai thotë se me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Haradinaj sqaron se disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.

“Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës. Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, shkruan Haradinaj.

Ndërkohë shefi i shtetit serb ka urdhëruar Ushtrinë dhe policinë e Serbisë që të vihen në gjendje gatishmërie, teksa thuhet se policia e Kosovës ka hyrë në veri.

Kjo pasi Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka urdhëruar vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura Serbe në gjendje gatishmërie të plotë pas operacionit nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Kësisoj operacioni i sotëm po shënohet me tensione mes dy vendeve, krahas dy policëve të plagosur.

Policia e Kosovës sqaroi se operacioni policor i cili po realizohet në veri të rajonit të Mitrovicës dhe në Mitrovicën e Jugut, nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së Heroit Enver Zymeri dhe ish politikanit Oliver Ivanoviç.

Bëhet me dije se këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë, i cili ka rezultuar me dyshimin e përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër, si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës një zyrtar policor është plagosur. Po ashtu flitet edhe për një tjetër efektiv të plagosur.

Mësohet se deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar sende të ndryshme përfshirë edhe disa armë, teksa serbët e veriut vijojnë të bëjnë rezistencë. /a.y/noa.al

Operacion masiv në Mitrovicë, arrestohen qytetarë dhe policë, plagosen dy efektivë