Transmetuar më 31-05-2019, 00:40

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në prag të vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, ka “kërcënuar” BE-në, duke u shprehur se nëse nuk hiqen vizat do të fillojë puna institucionale për bashkim me Shqipërinë.

Deklarata e Thaçit u bë nga akademia përkujtimore për të rënët gjatë Operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik, ku deklaroi se ëndrra e shqiptarëve është ajo e bashkimit kombëtar dhe se kurrë nuk ka qenë më afër për t’u realizuar.

“Kjo prezencë e spektrit politik të shqiptarëve kudo që jetojnë dhe familjet të dëshmorëve dëshmon se lufta e UÇK – së ka qenë luftë për liri dhe shtet të Kosovës, luftë për bashkim kombëtar andaj ëndrra historike e shqiptarëve nuk ka qenë kurrë më afër të realizohet pra bashkimi kombëtar. Rëndësia historike e Operacionit ‘Shigjeta’ për historinë kombëtare është jetike dhe e vulosur me gjakun e gjithë atyre që morën pjesë në këtë betejë përballë policisë dhe ushtrisë së Serbisë”.

Presidenti Thaçi edhe një herë publikisht shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë ndaj gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat serbe.

“Operacioni shigjeta ka rëndësi të jashtëzakonshme ndërkombëtare pasi që e tërë shpresa e bashkësisë ndërkombëtare ishte pikërisht operacioni shigjeta. Ky operacion ka një rëndësi që e fiton peshën çdo ditë e më tepër që kalon. Sot me të drejtë të gjithë kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të mos heshtet ndaj gjenocidit të kryer ndaj shteti të Kosovës. Sa më tepër po kalon koha aq më të përgjegjshëm po bëhemi ne dhe të vetëdijshëm që rruga që ka ndjekur UÇK-ja ka qenë e vetmja alternativë për t’iu përgjigjur Sllobodan Millosheviqit, përndryshe do të mbeteshim nën thundrat e Serbisë edhe më tutje. Duhet të nxjerrin mësim të tjerët nga kjo betejë”.

Ndër të tjera kreu i shtetit të Kosovës gjithashtu ka përsëritur idenë e tij për bashkimin kombëtar, veç se kësaj ia shtoi edhe bashkimin e Kosovës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Sipas tij ndërkombëtarët e izoluan Kosovën dhe si kundërpërgjigje do të bashkohen me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.

Më herët sot, z.Thaçi shprehu zhgënjimin e tij që raporti merret më shumë me taksën dhe fare pak me vlerësimin real të fushave të caktuara.

Gjuha e përdorur në raport, sipas presidentit Thaçi, e cilëson Kosovën si një shtet që pothuajse nuk ka bërë fare progres që nga shpallja e pavarësisë.

Fraza më së shpeshti e përdorur për vlerësimin e fushave të caktuara në këtë raport është: “Kosova është në faza të hershme/fillestare në çdo fushë”.

Ky vlerësim dhe gjuha e përdorur, sipas presidentit Thaçi, nuk reflekton në mënyrë objektive situatën në vendin tonë.

Përderisa ne pranojmë kritikat dhe jemi të vetëdijshëm për sfidat, presidentit Thaçi ka thënë se nuk mund të lejojmë në pafundësi trajtimin jo fer që BE-ja ka ndaj Kosovës.

Kreu i shtetit vlerëson se ky raport dekurajon vazhdimin e reformave, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Duke folur për marrëdhëniet e BE-së me Kosovën, ai ka theksuar se BE-ja duhet të tregohet parimore dhe të mos e mbaj të izoluar Kosovën.

Liberalizimi i vizave duhet të ndodh menjëherë dhe pa asnjë kushtëzim shtesë. Në të kundërtën, sipas presidentit Thaçi, kredibiliteti i BE-së do të dëmtohet seriozisht.