Transmetuar më 01-06-2019, 15:08

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Zyrih të Zvicrës, të premten, pasi një 60 vjeçar mori peng të dashurën e tij shqiptare dhe shoqen e saj, duke i vrarë pastaj.

Bëhet fjalë për gruan 34 vjeçe me inicialet I.S., me prejardhje nga Kamenica, e cila mësohet se u vra nga i dashuri për shkak të xhelozisë.

Pas marrjes peng nga 60 vjeçari, të cilit nuk është bërë i ditur nacionaliteti, ishte telefonuar qendra e thirrjeve emergjente, duke kërkuar ndihmë nga një fqinj aty afër.

Sipas dëshmitarëve, njëra nga gratë kishte dalë në ballkon, e më pas ishte dëgjuar duke bërtitur në spanjisht, 60 vjeçari. Ai thoshte: “shikoni se çfarë keni bërë”.

Siç shkruan Blick.ch, më pak se 10 minuta pas thirrjes emergjente, policia kishte arritur në vendin e ngjarjes.

Marrësi i pengjeve shikon dritaren dhe i kërkon policisë të qëndrojë larg.

Ai u kishte thënë policisë zvicerane se kishte dy gra peng dhe i kërcënoi t’i qëllonte ato nëse policia nuk tërhiqet menjëherë.

Pas kërcënimit të 60 vjeçarit, arriti në vendngjarje edhe njësia e ndërhyrjes “Scorpion” dhe specialistët e grupit negociator.

Në kontaktin e fundit në ora 8.30, pengmarrësi u thotë se do të heqë dorë për dhjetë minuta dhe do të përballet me policinë. Pak më vonë, dëgjohen disa të shtëna në apartament.

Njësia e ndërhyrjes futet në vendin e ngjarjes dhe gjen tre persona të plagosur rëndë, dy gra dhe pengmarrësin.

Por, si pasojë e plagëve të marra, dy gratë dhe pengmarrësi vdesin në vend.

Lidhur me mos ndërhyrjen e policisë, zëdhënësi për media Marco Cortesi, ka thënë se, nuk është vepruar me forcë pasi pengmarrësi kishte thënë fillimisht se do të dorëzohet, dhe autoritetet zvicerane, nuk kanë menduar se në fakt, do të ndodhte vrasja.

Ndërkaq, nuk dihen shkaqet që sollën tragjedinë, por policia është duke i hetuar të gjitha pistat, për të kuptuar se si erdhi deri të vrasja.

Sipas presupozimeve të para, bëhet fjalë për çështje parash dhe xhelozi dhe se viktima tjetër nuk kishte të bënte me rastin e çiftit…

Shqiptarja nga Kosova dhe shoqja e saj, jetonin së bashku në një banesë, në Döltschiweg, ndërkaq vrasësi, në një adresë tjetër.

Në galeri shikoni fotot e viktimave, autorit dhe të vendgjarjes.