Transmetuar më 05-06-2019, 00:46

Qeveria po vazhdon të eksperimentojë sa i përket gjobave me makinën. Tashmë, ata do të dërgohen online për çdo qytetar që thyen rregullat.

Propozimi i ministrit të Brendshëm për gjobat on-line apo siç njihen ndryshe edhe si e-gjoba është miratuar nga qeveria.

Sipas vendimit të qeverisë të publikuara në Fletoren Zyrtare, procesverbali i prodhuar nga pajisjet digjitale është sipas modelit VI.2.

“Procesverbali i prodhuar nga pajisjet digjitale është sipas modelit VI.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje dhe duhet të përmbajë të njëjtët tregues të procesverbalit të modelit VI.1 të saj.

Modalitetet e përdorimit të pajisjeve digjitale dhe mënyrat e transferimit të të dhënave digjitale në kohë reale në sistemin elektronik e-gjoba përcaktohen me udhëzim të ministrit të Brendshëm” përcaktohet në vendim.

Bashkëlidhur me gjobën e kundra-vajtjes, do të vijë edhe një foto në adresë të qytetarit. Fleta e gjobës do jetë me foto dhe e argumentuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj në fund të vitit 2018 urdhëroi policinë rrugore të mos patrullojnë më në akset rrugore apo kryqëzime, por të përdorin teknologjinë dhe të vendosin masat administrative, gjobat online.

Kjo sipas tij do të ulë korrupsionin, si dhe do mënjanojë konfliktet që mund të hasen mes oficerit të policisë që patrullon në rrugë dhe drejtuesin e mjetit të ndaluar prej tij.

Gjithsesi dhe gjobat online paraqesin vështirësitë e veta sepse sistemi i adresave në vendin tonë është ende kaotik.