Transmetuar më 06-06-2019, 06:53

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të nisë proces disiplinor ndaj Italisë me arsyetimin se nuk ka ulur borxhin e lartë publik.

Anëtarët e Komisionit Evropian (KE) u takuan në Bruksel për një mbledhje javore të Kolegjit. Në takim u diskutua nëse do të inicohej apo jo një proces disiplinor ndaj Italisë për shkak të borxhit të lartë publik.

Pas takimit, KE njoftoi vendimin për fillimin e një procesi disiplinor me arsyetimin se Italia nuk ka ndërmarrë masa efektive për të reduktuar borxhin e saj të lartë publik.

Sipas rregullave të BE-së, deficitet buxhetore të vendeve anëtare nuk duhet të kalojnë 3 për qind të PBB-së (Produkti i Brendshëm Bruto) së tyre dhe borxhet publike nuk duhet të tejkalojnë 60 për qind të PBB-së së tyre. Kur tejkalohet ky limit, masat që duhet zbatuar duhet t’i komunikohen KE-së dhe duhet të ndërmerret një luftë efektive.

Në fund të procedurës në fjalë, ndaj vendit përkatës mund të aplikohen sanksionet financiare. Në fund të procesit disiplinor, Italisë mund t’i vendoset një gjobë rreth 3-4 miliardë euro.

Por, procesi disiplinor merr një kohë të gjatë dhe në lidhje me vendimin përfundimtar për dhënien e dënimit kërkohet miratimi nga vendet anëtare të BE-së.

Krahasuar me të ardhurat kombëtare, Italia është vendi me borxhin më të lartë publik në BE pas Greqisë, ku borxhi i saj publik aktualisht kalon 132 për qind të PBB-së së saj.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) borxhin e lartë të Italisë e sheh si një rrezik të madh për ekonominë e Eurozonës, krahas konflikteve globale të tregtisë dhe Brexit-it të ashpër.

Çfarë e pret Italinë

Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare i BE-së deri më 19 qershor do të vendosë nëse do të mbështesë apo jo raportin e Komisionit.

Nëse Këshilli e mbështet raportin e Komisionit për fillimin e një procesi disiplinor, procesi do të shqyrtohet në takimin e ministrave të Financave të BE-së që do të mbahet në mesin e muajit korrik. Ministrat në këtë takim do të vendosin nëse do të mbështesin apo jo ndëshkimin disiplinor.

Në rast se ministrat mbështesin ndëshkimin displinor, nga Italia do të kërkohet të jetë e angazhuar me rregullat e Unionit në çështjen e shtrëngimit të buxhetit publik dhe për të siguruar disiplinën fiskale.

Italia mund të përballet me sanksione të pavërejtura më parë nëse ballafaqohet me probleme në zbatimin e rregullave të buxhetit të BE-së dhe disiplinës fiskale.

Nga ana tjetër, edhe pse shumë vende anëtare të BE-së janë përballur me procedura të hapura disiplinore gjatë krizës financiare të Eurozonës, ndaj asnjërës prej tyre nuk janë vendosur gjoba.