Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet tek operatorët e biznesit që tregtojnë produkte ushqimore (pije alkoolike dhe joalkoolike), me qëllim parandalimin e praktikave abuzive, si dhe parandalimin e hedhjes në treg të produkteve të pasigurta për shëndetin e konsumatorëve.
Nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria Rajonale e AKU Dibër në subjektin “Sanije Neziri” me aktivitet bar-restorant në Mat, u konstatuan 574 shishe vere 700 ml dhe 577 litra raki të cilat kishin mangësi në etiketim, si dhe subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte.
Nisur nga gjetjet e kontrollit të kryer, inspektorët e AKU-së morën mostra për produktet e rakisë dhe verës me qëllim kryerje e analizave laboratorike në lidhje me përshtatshmërinë e tyre për konsum human.
Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:
– Gjobë me vlerë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
– Gjobë me vlerë 50,000 lekë për mangësi në etiketimin e produktit,
– Bllokim i produktit në sasinë prej 577 litra raki dhe 574 shishe vere 700 ml, deri në daljen e përgjigjeve të analizave zyrtare,
– Bllokim i magazinës ku ishin vendosur këto produkte.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë pandërprerë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe garanton parandalimin e çdo praktike që do të shkojë në dëm të shëndetit të konsumatorëve. /a.y/noa.al