Transmetuar më 17-06-2019, 00:26

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kryebashkiakun e Londrës Sadik Khan, duke e quajtur atë “një katastrofë” dhe duke u shprehur se qyteti kishte nevojë për një bashkiak të ri.

Në një postim në rrjetin social twitter, Trump u shpreh se “Khan ishte një turp kombëtar që po shkatërronte kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar”. Trump i kërkoi kryebashkiakut londinez që të japë dorëheqjen.

Komentet e Trump erdhën pasi në Londër u shënuan pesë sulme në më pak se 24 orë, si pasojë e të cilave tre persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë u plagosën.

Në kundërpërgjigje, zëdhënësi i Khan tha se “mendimet e kryebashkiakut ishin me familjet e viktimave, dhe theksoi se ai nuk do të humbte kohë për t’iu përgjigjur postimeve të tilla”.

“Kryebashkiaku Khan e ka përqendruar punën e tij në mbështetje të komuniteteve të qytetit si dhe në zgjerimin e shërbimeve të emergjencës”, – u shpreh zëdhënësi Khan.

Më vonë, kryebashkiaku u Londrës shkroi në twitter se “krimi nuk kishte vend në qytet dhe për të nuk kishte prioritet më të madh se siguria e londinezëve”.

Ndërkohë, lideri laburist Jeremy Corbyn u shpreh “se ishte absolutisht e tmerrshme që zoti Trump po përdorte tragjedinë e njerëzve të vrarë për të sulmuar kryebashkiakun".