Transmetuar më 17-06-2019, 12:12

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në bashkërendim me strukturat e policisë, ushtroi kontroll në subjektin “Briland sh.p.k” me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe joalkoolike” në Shkodër, veprimtaria e të cilit ishte bllokuar nga kontrolli i datës 20 shtator 2017.

Nga realizimi i inventarizimi të produkteve ushqimore u konstatuan 44.5 ton produkte, që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit, duke shpërfillur Urdhrin e Bllokimit të organit kompetent të sigurisë ushqimore. Gjithashtu, u evidentua se subjekti kishte prishur shenjat dalluese dhe vulat e sigurisë nga inspektimi i mëparshëm.

Për këto shkelje ndaj subjektit u morën masat e mëposhtme:

– Gjobë në vlerën 100 000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese,

– Gjobë në vlerën 200 000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,

– Gjobë në vlerën 200 000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për përgjegjësitë e OBU,

– Lënia në fuqi e vendimit të inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit,

– Bllokimi i 44 513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe joalkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar etj), dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike.

Nisur nga gjetjet e kontrollit në subjektin ‘Briland sh.p.k’, si dhe duke ndjekur sistemin e gjurmueshmërisë për lëndën e parë, AKU ushtroi kontroll në subjektin “Ylli Merja’, Tiranë.

DRAKU Tiranë konstatoi etiketa që keqinformonin publikun për aspekte të ndryshme shëndetësore, produkte ushqimore të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin; ambienti ishte i mbingarkuar me produkte, i pasistemuar, produktet ruheshin në dysheme dhe disa produkte mbaheshin në ambiente sanitare. Gjithashtu, rezultoi se subjekti operon në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës, nuk operon me sistemin e vetëkontrollit HACCP, si dhe nuk disponon sistem funksional gjurmueshmërie.

Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit u morën masat administrative:

– Gjobë në vlerën 1000 000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A (1));

-Gjobë në vlerën 300 000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare;

-Gjobë në vlerën 200 000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP);

– Gjobë në vlerën 200 000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë;

– Gjobë në vlerën 100 000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin. /a.y/noa.al