Transmetuar më 18-06-2019, 07:37

Sistemi rrugor shqiptar ka ekspozim të lartë ndaj fatkeqësive natyrore sipas një studimi të Bankës Botërore. Por përpos kostove që vijnë nga riparimi i defektit që krijojnë përmbytjet apo rrëshqitjet e dherave humbjet në tërësi nga mosfunksionimi i akseve rrugore kryesore janë të larta.

Nëse autostrada Tiranë -Durrës nuk do të funksiononte për një javë humbjet nga mos ofrimi i shërbimeve në këtë korridor do të ishin 235 mijë euro në ditë ose mbi 7 milionë euro në një javë.

Por aksi me leverdinë ekonomike më të madhe shihet të jetë Durrës-Fier. Mos ofrimi për një javë i shërbimeve në këtë korridor krijon 18 milionë euro humbje ose 2.2 milionë euro në dite edhe pse flukset e lëvizjeve të automjeteve në këtë aks janë më të ulëta se më atë Tiranë -Durrës.

Aksi i tretë për leverdishmërinë ekonomike është ai Tiranë- Elbasan. Nëse autostrada nuk ofron shërbime për një javë dëmi që sjell në ekonomi është 7 milionë euro.

Më tej në renditje vjen aksi Milot-Shkodër. Nëse rruga do të bllokohej për një javë kosto e përgjithshme në ekonomi do të ishte 3,3 milionë euro, shkruan ‘monitor’.

Gjithashtu të njëjtën rëndësi ka Pogradec -Korçë me një vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

Më tej asket Lushnjë -Gramsh, Rrogozhinë -Elbasan, Milot -Peshkopi, Fier-Tepelenë, dhe rruga e Kombit nëse bllokohen kanë kosto rreth 1 milionë euro në javë.

Këto humbje përfshijnë vetëm kostot që vijnë nga bllokimi i rrugëve, teksa vlerat monetare për riparimin e defekteve që çojnë në bllokimin e rrugëve janë veçmas.

Banka Botërorë cilëson se rrugët në Shqipëri janë të ekspozuara më së shumti ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës.

Vendit tonë i duhet të përballet me kosto të larta për rikuperimin e fatkeqësive që rrjedhin nga fondet që duhen për riparimin e dëmeve dhe kostot që i duhet të përballojë ekonomisë nga mos ofrimi i shërbimeve në rrugë.