Transmetuar më 18-06-2019, 13:58

Shtyhet për të disatën herë seanca në Gjykatën e Apelit për Emiljano Shullazin dhe 4 të pandehurve të tjerë.

Mësohet se mos plotësimi i trupës gjykuese u bë shkak për një tjetër seancë të dështuar të gjyqit ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit në Apelin e Krimeve të Rënda.

Trupa ka mbetur me dy anëtarë pasi në 15.6.2019 është pranuar kërkesa e Shullazit për përjashtimin nga gjykimi të gjyqtares Saida Dollani.

Seanca është shtyrë për në datën 24 qershor, në orën 11:00 pasi KLGJ akoma nuk ka caktuar gjyqtarin e tretë në këtë çështje.

Pritet që Apeli për Krime të Rënda të shqyrtoj kërkesën për përjashtimin e Albana Boksit, pasi Gilmando Dani, pjesë e grupit Shullazi i ka kujtuar gjyqtares për t’u tërhequr nga gjykimi i çështjes pasi sipas tij ajo ka gjykuar çështjen "Vollga" në Durrës.

“Eshtë në të mirën tuaj të tërhiqeni se të gjithë gjyqtarët e tjerë janë tërhequr. Ngaqë keni gjykuar Vollgën e gjithë të tjerët janë tërhequr”, tha Dani.

Gjyqtarja Boksi, e cila tashmë është kryesuese në këtë proces, është shprehur "Faleminderit për paralajmërimin".

Shullazi dhe grupi i tij u shpallën fajtorë nga gjykata për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënin e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqajt. Kjo vepër penale, sipas Gjykatës, është kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Pas dënimit nga Shkalla e parë, grupi i Shullazit e apeloi vendimin, që vijon të zvarritet./b.l/noa.al/