Transmetuar më 19-06-2019, 14:21

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar zyrtarisht mbi përplasjet e ashpra që po ndodhin në KZAZ-të e shumë bashkive në vend. Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, i ka bërë thirrje Edi Ramës dhe qeverisë së tij të tërhiqen menjëherë, pasi sipas tij, revolta dhe zemërimi popullor do të jetë i pamëshirshëm.

Në një dalje për mediat nga selia e LSI, Rama deklaroi se kryeministri duhet të japë dorëheqjen, duke shtuar se zgjedhjet me kriminelë prodhojnë qeverisje me kriminelë.

“Kryeministri të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe të mos e çojë vendin në aventura të rrezikshme. Të mos frymëzojë dhe të motivojë sjelljet kriminale dhe të papërgjegjshme në kundërshtim me ligjin të atyre institucioneve që i ka kapur

Zgjedhjet me kriminelë prodhojnë qeverisje me kriminelë, prandaj ajo që duhet bërë është tërheqja e menjëhershme e qeverisë dhe të gjitha institucioneve që zbatojnë urdhrat e saj, sepse ndryshe revolta e zemërimi popullor do jetë i pamëshirshëm.

Përgjimet e “Bild” provojnë edhe njëherë drejtësinë dhe largpamësinë e opozitës, e cila prej kohësh këtë gjë ka bërë, duke treguar me gisht ku janë kriminelët. Ajo që duhet të bëjë Rama është të dëshmojë se i ka mbetur sadopak ndjenjë njerëzie, të japë dorëheqjen”, tha Luan Rama.