Transmetuar më 19-06-2019, 14:43

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj del me deklaratë lidhur me tensionet në KZAZ-të e bashkive të djathta, ku mbështetës të opozitës kërkojnë tërheqjen e materialeve zgjedhore, duke kërkuar që të zbatohet dekreti i Presidentit Ilir Meta, për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, ai paralajmëroi shkrirjen e disa strukturave të Policisë Bashkiake te qytetet që drejtohen nga PD, për të cilat tha se janë kthyer në rrezik publik.

Ministri deklaroi se policia po provokohet dhe sulmohet në mënyrë të organizuar dhe se policia po përgjigjet dhe do të përgjigjet proporcionalisht dhe me vendosmëri deri në fund.

“Kryesisht punonjës bashkish dhe për më keq punonjës të Policisë Bashkiake po gabojnë rëndë duke u përdorur si mish për top nga udhëheqësit e tyre. Iu bëj thirrje punonjësve publikë që të mos marrin përsipër krime zgjedhore, për interesin e një grushti njerëzish. Qeveria do të marrë masa të menjëhershme që në zbatim të ligjit të shkrijë disa struktura të Policisë Bashkiake, që janë shndërruar në rrezik publik”, u shpreh Lleshaj.

Ai shtoi se askush nuk do të tolerohet, ndaj tha prerazi se kjo mund të jetë pak por shumë e sigurtë.

Për ministrin, “e gjithë kjo shfaqje e turpshme nuk do të cenojë aspak rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe pavarësisht vështirësive nuk do të cedojë asnjë milimetër”.

Ministri iu bëri apel prokurorëve dhe gjyqtarëve të territoreve ku po shkelet ligji që të zbarojnë ligjin, Ndërkohë ai tha se policia do të ndalojë dhe arrestojë në bazë të ligjit çdo shkelës të tij. /a.y/noa.al