Transmetuar më 19-06-2019, 15:10

Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe njëherë për zhvillimet e fundit në vend. Ai e cilëson gjithçka të parashikuar, duke e quajtur aksionin e opozitës, “revolucion imagjinar me punonjësit e bashkive blu”. Kreu i maxhorancës ka një pyetje për mbështetësit e opozitës.

“Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar! Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu. I pyes: A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD-LSI në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero!”, shkruan Rama në Twitter.

Prej rreth 48 orësh në të gjitha bashkitë ku qeveris opozita ka pasur tensione e në disa raste përleshje mes policisë bashkiake e asaj të rendit për shkak KZAZ-ve. Bashkitë e djathta kërkojnë lirimin e ambienteve që administrohen prej tyre në zbatim të dekretit të Presidentit, nga ana tjetër policia mbron këto ambiente me urdhër nga qeveria.

Më herët edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në një konferencë për mediat paralajmëroi shkrirjen e disa strukturave të Policisë Bashkiake te qytetet që drejtohen nga PD, për të cilat tha se janë kthyer në rrezik publik. Ministri deklaroi se policia po provokohet dhe sulmohet në mënyrë të organizuar dhe se policia po përgjigjet dhe do të përgjigjet proporcionalisht dhe me vendosmëri deri në fund./b.l/noa.al/