Transmetuar më 19-06-2019, 18:46

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste i është drejtuar me një letër Kryeministrit Rama duke i kërkuar që të marrë masa për situatën e krijuar në vend.

Duke iu referuar përplasjeve të fundit për lirimin e KZAZ-ve, Duka kërkon nga kreu i qeverisë që të bëjë një hap pas.

“Situata në vend po përkeqësohet nga ora në orë, dhe tashmë përplasja duket e pashmangshme. Paraardhësit e tu, pa asnjë përjashtim, janë ndodhur përballë mundësisë së humbjes së pushtetit. Megjithatë, Nano, Meta, Berisha, në mënyrat e tyre, kanë ditur të bëjnë një hap pas. Për këtë arsye, qytetarët janë treguar bujar me ta, edhe kur kanë gabuar, madje u kanë dhënë besimin për t’i qeverisur sërishmi”, shkruan Duka.

Ai vijon më tej duke shkruar se “nuk është turp të tërhiqesh dhe nuk ka asnjë lavdi në mbajtjen e pushtetit me çdo mjet”.

Duke iu drejtuar edhe si mik, Agron Duka kërkon reflektim nga Kryeministri ndërsa i shkruan se shqiptarët janë mbi të gjitha.

“E vetmja gjë që të përket është familja jote dhe nderi yt, gjithë të tjerat janë të përkohshme dhe mbi të gjitha janë të shqiptarëve. Herët apo vonë do të duhet t’i dorëzosh, veçse mënyra se si e bën këtë dorëzim do të jetë domethënëse për interesin e vendit”, vijon letra.

Por Duka ka edhe një paralajmërim për Edi Ramën.

“Nëse vazhdon kështu, kam frikë se do të jesh ti vetë kurbani që lips fundi i tranzicionit. Bëj që kurban të bëhet pushteti yt, jo ti, jo vendi ynë. Reflekto robo, je ende në kohë për të bërë gjënë e duhur”, përfundon letra. /k.k/noa.al/