Transmetuar më 19-06-2019, 19:03

Shoqata e Bashkive ka reaguar pas paralajmërimit të ministrit të Brendshëm se do shkrijë strukturën e Policisë Bashkiake për disa bashki.

Me anë të një qëndrimi publik, Shoqata “dënon dhunën e Policisë së Shtetit ndaj punonjësve të Policisë Bashkiake në gjithë vendin, si dhe e konsideron si cënim të thellë të autonomisë vendore deklaratën e Ministrit të Brendshëm”.

Në reagim thuhet se ministri Sandër Lleshaj është urdhërues i veprimeve të paligjshme nga ana e Policisë së Shtetit.

Sa i përket paralajmërimit për shkrirjen e Policisë Bashkiake, Shoqata bën me dije se këto struktura janë krijuar me ligj dhe janë pjesë thelbësore e mundësimit të ushtrimit të detyrave nga organet e njësive të qeverisjes vendore.

“Ky akt i paprecedentë është thellim i grushtit të shtetit nga Qeveria dhe një tentativë e qartë antikushtetuese për të uzurpuar kompetencat e Bashkive. Mbi këtë akt do të njoftohen nga ana jonë, në mënyrë të menjëhershme, të gjitha organizatat ndërkombëtare, që sigurojnë autonominë vendore, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në reagim.

Me këtë lëvizje të ministrit, sipas Shoqatës së Bashkive, synohet “një tjetër konflikt institucional, kësaj here me qeverisjen vendore”.

Po ashtu, vijohet më tej, se “vendimi i njoftuar prej tij, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin dhe, për pasojë, nuk do të njihet dhe nuk do të zbatohet nga Bashkitë”.

Në përfundim, Shoqata e Bashkive të Shqipërisë i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama, “të ndalë menjëherë agresionin qeveritar dhe policor mbi strukturat bashkiake, si dhe të urdhërojë ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve të bashkive tona, të cilët janë të vendosur të mbrojnë Kushtetutën dhe demokracinë”. /k.k/noa.al/