Transmetuar më 20-06-2019, 17:24

Në kulmin e një krize politike që merr përmasa të mëdha dita-ditës, Kisha Katolike kërkon reflektim.

Kryetari i Kishës Katolike të Shqipërisë imzot Xhorxh Frendo, ka apeluar palët që të marrin masa për të përmirësuar këtë situatë.

Në një deklaratë për mediat ai kërkoi nga politika që të harrojnë sulmet dhe të pubojnë për paqen.

"Harroni sulmet ndaj njëri-tjetrit. Duajeni Shqipërinë më shumë se partitë. Shumica e popullit tonë kërkon prej jush vullnet, që të mos shkojmë në humnerë vdekjeprurëse.

Hapni kapitull të ri në politikë. Besimet fetare kanë harmoni, e politika nuk duhet të përçajë popullin shqiptar. Zoti iu dhëntë guxim për të gjetur rrugën e drejtë dhe të paqes", tha ndër të tjera Imzot Xhorxh Frendo.

Frendo u kujtoi politikanëve se për çdo gjë të keqe historia do i bëjë ata përgjegjës për dëmet ndaj atdheut.

Edhe njëherë ju drejtohemi juve që zëri ynë të gjejë jehonë në zemret tuaja. Jemi të vetëdijshëm për situatën kritike në vend. Sidomos gjatë ditëve të fundit kemi lexuar shkrime të shumë personave.

Këta mendojnë se situata do të përkeqësohet në vendin tonë. Si na ka mësuar historia, në të ardhmen do iu bëjë përgjegjës për dëmtim që i keni shkaktuar atdheut”, tha ai. /k.k/noa.al/