Transmetuar më 21-06-2019, 18:08

Gjiganti i rrjeteve sociale,Facebook është gati të lançojë monedhën dixhitale të  quajtur “Libra”, e cila do të hyjë në qarkullim vitin e ardhshëm.

Kjo monedhë dixhitale do të lejojë miliarda përdorues që të bëjnë transaksione financiare anembanë globit.

Kompania bëri me dije se qytetarët do të jenë në gjendje të kryejnë pagesa përmes aplikacioneve të saj dhe me anë të mesazheve në WhatsApp.

“Firma si Uber dhe Visa do ta pranojnë atë në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Facebook.

Megjithatë, ka shqetësime të mëdha lidhur me mënyrën se si paratë dhe të dhënat e përdoruesve do të mbrohen.

Gjithashtu, një tjetër problem serioz është qëndrueshmëria e kriptovalutës, e cila nuk është e garantuar.

Facebook thekson se “Libra” do të jetë monedhë me menaxhim të pavarur dhe e mbështetur në asete reale.

Por si lindi monedha Libra. Facebook tregon se ajo vjen si rrjedhojë e libra, njësia matëse e romakëve, shenja zodiakale e drejtësisë dhe fjala në frëngjisht, liri.

Gjiganti teknologjik thekson se monedha mund të ruhet në një portofol dixhital të quajtur “Calibra”. Secili që dëshiron do të ketë portofolin e tij Calibra dhe do të mund ta përdorë në të gjitha aplikacionet në pronësi të Facebook.

Libra do të ketë selinë e saj në Zvicër atje ku ruhen paratë e pjesës më të madhe të botës.