Transmetuar më 25-06-2019, 12:42

TIRANË, 25 QERSHOR 2019 NOA.AL – Në daljen për media, z.Meta lëshoi disa deklarata të cilat ishin mesazhe të qarta për shqiptarët, politikanët në krye të shtetit dhe opozitës si dhe ndërkombëtarët.

Mesazhet më të rëndësishme lidheshin pikërisht me këta të fundit.

Z.Meta alarmoi se ndërhyrja nga jashtë po e dëmton vendin, kur tha se nuk do të lejojë që një fondacion të kthejë Shqipërinë në koloni: “Shqipëria nuk do të bëhet koloni e asnjë fondacioni ndërkombëtar, është vend që i takon gjithë shqiptarëve”, – tha z.Meta. Apeli i Metës vjen në një kohë që janë shtuar zërat për ndikimin sorosian në qeverisjen e vendit. Dhe dihet se ndikimi i Fondacionit Soros është shumë i lartë në disa vende, përfshirë Shqipërinë.

Deri sot, asnjë nga ambasadorët apo përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk janë shprehur kundër 30 qershorit. Përkundrazi, ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen dhe të respektohet e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e pushtetit lokal.

Ndaj lind pyetja janë ndërkombëtarët kundër Metës apo Meta kundër tyre?

Presidenti thotë se përgjigjja gjendet te Kushtetuta e Shqipërisë e detyrueshme për zbatim dhe njohje nga kushdo: Në Republikën e Shqipërisë i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti i Republikës.

Por pse zgjedhjet pa opozitën janë sa të rrezikshme për të ardhmen evropiane dhe po aq të paligjshme?

Z.Meta i referohet fakteve që ai siguron se flasin qartë: “Mos prisni nga asnjë ambasador t’ju thotë këtë që po ju them unë. Sepse edhe po të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor – që nuk ekzistojnë më ligjërisht – pa opozitën, edhe sikur i gjithë populli opozitar që nuk do të merrte pjesë, do të dilte të duartrokiste ata që do të shkonin të votonin (pa pjesëmarrjen e opozitës), e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një fat të paditur për një kohë shumë të gjatë. Sepse zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit”.

Por jo vetëm kaq, z.Meta paralajmëron se nëse zhvillohen të tilla zgjedhje, Shqipëria do të dënohej nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç ka ndodhur me shumë vende të tjera.

Sikurse Meta pohon: “Pa zgjedhje dhe jo vetëm gjithëpërfshirëse, por me standardet më të mira, nuk ka çelje negociatash”.

Në këtë pikë z.Meta ka një batutë dhe për pijedashësit e njohur në BE: “Kjo është e sigurt dhe për këtë më besoni mua unë, jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më tani në mëngjes”.

Mesazhet për mazhorancën, pasojat ligjore mbi të dhe pse integrimi po vihet në pikëpyetje 

E vërteta është se tani, jemi në një situatë paradoksale ku, Presidenti i Republikës ka anuluar zgjedhjet, kurse qeveria vazhdon fushatën për t’i çuar shqiptarët në qendrat e votimit më 30 qershor edhe pse janë vetëm kandidatët e saj.

Këtë e konstaton me habi, kreu i shtetit. “Kam anuluar me dekret një proces zgjedhor monist, që ishte planifikuar për t’u mbajtur më datë 30 qershor, ndërkohë që mazhoranca dhe organizata socialiste e KQZ-së, në paligjshmëri të plotë, vijojnë “teatrin” për të zhvilluar një proces votimesh që tashmë ligjërisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë”, – thotë z.Meta.

Ai këmbëngul se Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019 për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, është marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj, sidomos pluralizmit politik. Për pasojë vetëm Gjykata Kushtetuese, dhe vetëm ajo, mund të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës.

Në këto kushte, Presidenti i bën thirrje mazhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj institucioneve të pavarura, duke e paralajmëruar se asgjë dhe askush nuk do ta justifikojë përballë ligjit.

***

Që të zhvillosh zgjedhje me vetë një parti, në rastin tonë, Partia Socialiste, duke mbetur jashtë gjysma e elektoratit, që përfaqësohet nga opozita, është e rrezikshme për rrugën e vendit drejt integrimit.

Këtë e nënvizon kreu i shtetit duke alarmuar se e ardhmja europiane e Shqipërisë, po vihet në pikëpyetje.

Por ku e bazon Presidenti këtë paralajmërim. Përgjigjen ai e gjen te standardet e detyrueshme për BE dhe mbarë botën demokratike.

Therës ishte mesazhi i Metës ndaj Ramës, kur u shpreh se Presidenti i Republikës, nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake dhe shtoi: “30 qershori si datë për zgjedhje në Republikën e Shqipërisë, ka rënë, nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të zhvillojë zgjedhje të karakterit partiak është i lirë. Presidenti nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive, kjo duhet të jetë e qartë për ju, dhe për të gjithë brenda dhe jashtë vendit”. Këtu ai pohoi se në Republikën e Shqipërisë, ka vetëm një institucion që vendos datën e zgjedhjeve, ky është Presidenti i Republikës.

Por ndonëse Meta tha se Rama është i lirë të vazhdojë me të atilla zgjedhje, paralajmëroi se “kush vazhdon me kokëfortësi në rrugën e paligjshmërisë, do të marrë të gjitha përgjegjësitë dhe askush nuk do ta justifikojë dot”.

Shkarkimi, një iluzion që nuk realizohet deri më 2022

Në kushtet kur Parlamenti i kontrolluar krejtësisht nga qeveria, ka iniciuar shkarkimin e Metës, lind pyetja: A do të ishte dorëheqja një zgjidhje më e mirë?

Z.Meta tha se asgjë nuk është personale: “Ky institucion nuk i përket Ilir Metës. Ky institucion i përket Republikës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi. Nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës, Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar. Ky është një vend që u takon të gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri më 24 korrik të vitit 2022”.

Shpërndarja e Parlamentit, opsion i hapur. A është çelësi i daljes nga ky rreth vicioz?

Kushtetuta e vendit përcakton se Parlamenti ka 140 deputetë. Pas largimit të opozitës, disa emra nga listat rezervë u futën në Kuvend përpos vendimit për të mos mbajtur asnjë mandat deputeti deri në zgjedhjet e reja parlamentare. Megjithatë, ende Parlamentit i mungojnë 18 deputetë ose afro një e shtata e numrit të përgjithshëm.

Në të tilla rrethana shtrohet pyetja? A është legjitim një Parlament që për gjysmën e mandatit të tij të ketë vetëm 122 deputetë?

A po e merr në konsideratë shpërbërjen e parlamentit? Z.Meta nuk mohon se Parlamenti mund të shpërndahet: “Presidenti i Republikës do të bëjë çdo veprim me shumë qetësi, me shumë përgjegjshmëri, dhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj, shpresojmë ta bëjnë këtë të gjithë institucionet dhe të gjithë qytetarët së bashku”.

Nëse Meta do të vlerësojë se Parlamenti nuk është legjitim në të tilla kushte, dekretimi i shpërndarjes së tij do të shoqërohej me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 45 ditëve në vijim.

Kjo do të ishte një zgjidhje edhe për të shpëtuar afatet e të zgjedhurve lokalë që sikurse ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj tha para pak ditësh në Parlament, është 10 gushti: “Presidenti me Dekretin duke shfuqizuar datën e caktuar të zgjedhjeve dhe duke rrezikuar zhvillimin e zgjedhjeve para datës 10 Gusht, mund të çojë në situatën antikushtetuese dhe të paprecedentë ku të gjithë organet e qeverisjes vendore në vend, qëndrojnë në funksion përtej mandatit kushtetues”.

Dhe nëse 10 gushti është afati i fundit, palët janë tamam në kohë për të zhvilluar zgjedhje të njëkohshme parlamentare dhe lokale deri në 10 gusht, duke shërbyer si një zhbllokim i krizës së tejzgjatur që aktualisht duket si një rreth vicioz. /noa.al/