Transmetuar më 03-07-2019, 00:53

Kënaqësi e madhe të takohem me ju pas votimeve mjaft të sukseshme dhe paqësore socialiste.

I përqafoj të gjithë shqiptarët që evituan një kurth dhe komplot të kurdisur prej kohësh për të ushqyer me çdo kusht dhe me çdo çmim përplasjen civile.

Nuk është një kurth i ri. Është i hershëm. Është një komplot që nuk bazohet në parimet e demokracisë, as në vlerat e Bashkimit Europian dhe as të NATO-s, që siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg në Tiranë, ka në zemër demokracinë. Por bazohet në parimet e “deep state-t” (shtetit paralel) që synon një “total state capture” (kapje të plotë të shtetit) në Shqipëri.

Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera ku është prezent ky fenomen i rrezikshëm i shtetit paralel dhe axhendave të nëndheshme, është një komplot kundër demokracisë dhe sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Prej kohësh ua kam bërë të qartë zotit Basha, zonjës Kryemadhi, madje dhe mikut tim Doktorit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e provokimeve të një grupi të strukturuar PPPd!

Tre P-të janë të mëdha që të mos dalim nga filozofia e mënyrës se si qeverisim dhe është edhe një “d” e vogël.

Është një grup i strukturuar që punon sipas parimeve të “deep state-t”, që synon “total capture state’ në Shqipëri, që kanë gjetur dhe njeriun e duhur për këtë çështje, i cili nuk vjen në takim me Presidentin, por lahet në pishinë, edhe pse Presidenti për muaj dhe javë të tëra i ka dërguar dhe i ka treguar rrugën e zgjidhjes, e cila nuk është rruga e zgjidhjes “Rama ik!”, siç kërkon Basha, Kryemadhi dhe Berisha, dhe populli opozitar, por është “Rama reflekto!”. Kjo ishte deri të shtunën në darkë.

Tani kam një axhendë tjetër në këtë drejtim për zgjidhjen e krizës: “Edi thellohu”!

Thellohu se ky është atdheu i të gjithë shqiptarëve. Në rast se ti nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura në interes të vendit dhe kombit tënd dhe qytetarëve të tu, unë dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm, që kanë ende gjak shqiptari, do ta mbrojmë Shqipërinë nga të gjithë ata miliarderë që u duket Shqipëria një mizë lisi e mund të tallen si të duan me strukturat e tyre të “deep state-t” për “state capture”.

Kam dy fjalë dhe për miliarderin e nderuar George Soros: Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orban-in në vitin 2000, në janar, kur unë po i flisja gjithë dashuri për Sorosin se me thënë të drejtën atëherë na ndihmoi në kohën e opozitës, se dhe ai është socialist në pikëpamje, dhe më tha: – Kini kujdes se nuk është dhe aq demokrat sa ç’duket dhe shpesh komploton kundër demokracisë!

Unë do t’i them zotit Soros, – I uroj jetë të gjatë!

I uroj suksese edhe të birit, i cili vjen shpesh në Shqipëri dhe është i mirëpritur dhe këtu, që t’ia them edhe nga afër, meqë shkon shpesh në Kosovë, në Serbi.

T’i gëzojë ato miliardat e veta!

Shqipëria është vërtet një vend i vogël për për përmasat e tij, ndaj të vazhdojë të investojë në tregje të mëdha sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit!

Është President i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë!

Është i racës së politikanit të tipit Avni Rustemi, edhe i disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Vojo Kushi, etj.

Jam i gatshëm në çdo moment të bëj testin e shëndetit mendor dhe mbas kësaj krize duhet të vendosim në Kushtetutën e Shqipërisë, urgjentisht, testin e shëndetit mendor, për çdo politikan; për Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, për të gjithë ministrat, drejtuesit e të gjithë institucioneve më të rëndësishme shtetërore dhe po kështu jam i gatshëm të bëj dhe testin e drogës. Patjetër!

Ndërsa për testin e shqiptarit, e dinë ata që e kam bërë, dhe do ta bëj në çdo kohë.

Tani të vimë tek kriza dhe tek situata aktuale.

Duhet ta keni të qartë që këto ishin zgjedhje socialiste.

Dua t’i them të gjithë socialistëve në Shqipëri e kudo kudo ku janë se, nëse kam përmendur termin “socialiste” nuk e kam për ata si socialist, përkundrazi, sepse unë ndryshe nga Edi që ka pasur shumë pirueta, që nga partia “KISS” që bëri atëherë, edhe nga tentativat për nxjerrje jashtë ligjit të Partisë Socialiste e me radhë, unë kam qenë shumë konseguent në linjën time.

Ata e dinë që unë kam qenë gjithmonë eurosocialist, socialist, edhe sot që jam këtu, bindjet e mia të tilla janë, pavarësisht se në detyrën time nuk ndikohem nga kjo gjë.

Dhe derisa të jetoj e derisa të vdes ashtu do të mbetem, socialist dhe social, por në radhë të parë shqiptar.

Kam lindur dhe do të vdes shqiptar, nuk do të vdes shqipfolës.

Ka vetëm një zgjidhje. T’i lerë ato “fitorjet”! Se ato “fitorjet” i pa e gjithë bota! Shikoni gjithë lajmet e kudo se është turp! Është skandal! As 10% nuk ka marrë. Le të mbushin kutitë tërë ditën me organizatën socialiste në KQZ, me Kolegjin socialist që tregoi se çfarë reforme në drejtësi po bën, apo si po e zbaton ai, – nga reformë e ka kthyer në “Rama-formë”, – që diskuton hallin e Idajetit dhe rrëzon dekretin e Presidentit.

Këto janë gjëra të turpshme, skandaloze, që s’mund të ndodhin në një shtet të së drejtës, një shtet që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Për mua demokracia është e panegociueshme.

Nuk e negocioj demokracinë me asnjë shqiptar, me asnjë ambasadë, me asnjë shtet dhe me të gjithë botën sepse nëse unë jam këtu ku jam dhe kam 30 vjet që populli shqiptar më ka votuar, më ka zgjedhur, më ka kërkuar të jap dorëheqje për zgjidhje krizash, e kështu me radhë, jam vetëm falë demokracisë.

Pa demokracinë do isha një emigrant diku, pavarësisht se mund të isha shumë i suksesshëm, apo do të isha përsëri këtu, por nuk do të isha ky që jam që kam një detyrim, pavarësisht nga gabimet, nga të metat, nga çdo lloj marrëzie që mund të kem bërë, që t’i dal për zot vendit tim kur shikoj që të tjerët tallen me vendin tim.

Zgjedhjet janë në 13 tetor.

Dekretin e Presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë.

Pra, të gjitha këto pallavra, KQZ-rat, rezolutë e Kuvendit socialist, me opozitën e re të Unazës së Re, skandalit të Unazës së Re, – se ata që janë atje janë njerëz të ndershëm që kanë 200 ditë që protestojnë.

Edhe me Kolegjin socialist nuk ka dhe nuk ka njeri që mund ta vejë në diskutim këtë gjë.

Duhet të jemi krejtësisht të qartë dhe do mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin!

Megjithatë vendi kërkon një zgjidhje, por unë kam dhënë vazhdimisht zgjidhje.

Kam bërë të gjithë përpjekjet e mia për çdo zgjidhje. Prapë, unë jap zgjidhjen time si President i Republikës në interes të gjithë shqiptarëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur të gjithë drejtuesit dhe përfaqësuesit e tyre.

Ata nuk patën mundësi të zgjidhnin për zgjedhjet e anuluara të 30 qershorit. Kjo është përgjegjësi e të dy palëve, por edhe disa të tjerëve që u përfshinë në këtë histori dhe lojë shqiptare kundër parimeve europiane dhe parimeve mbi të cilat qëndron Aleanca jonë e NATO-s dhe demokratike.

Më 13 tetor edhe zgjedhje të përgjithshme, edhe zgjedhje për Presidentin. Dhe unë do të kandidoj për president me këto kompetenca që janë, nuk kam asnjë shqetësim. Dhe Edi Rama dhe Kuvendi socialist që s’më duan mua, të vënë kandidat kë të dëshirojnë!

Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë të tmerrshme të përfaqësimit të qytetarëve shqiptarë. Që të mos na shkojnë prapë, se eshtë 2 korriku sot e të na futen nëpër ambasada, siç u shpreh me të drejtë edhe ministri i Brendshëm i Italisë, që të mbushin prapë anijet e të ikin në Europë.

Boll e zbrazëm Shqipërinë!

Ta zbrazim ne Shqipërinë që të na vinë gjithë refugjatët nga e gjithë bota për ta mbushur?!

Nuk kalon! Më vjen keq!

Ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend europian.

Do ta bëjmë një vend që të mbështetet fort mbi shtetin e së drejtës.

Një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet dhe ta bëjmë një vend ku të kthehen edhe shqiptarët që janë në Amerikë. Të vinë edhe ata që janë në Itali. Të vinë edhe ata që janë në Angli.

Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp për mua si President i Republikës nëse populli shqiptar nuk më voton, që të shikoj punën time.

As për Edin, as për të gjithë të tjerët, sepse në fund fare edhe Churcilli fitoi luftën, por populli anglez nuk e votoi. Pastaj pasi të bëj pak pushim, e votoi sërish. Kështu është demokracia prandaj njerëzit shprehen, prandaj njerëzit duhet të kenë besim në votën e tyre. Dhe kjo është rruga e zgjidhjes së secilit vend.

Ky ishte propozimi im. Në qoftë se ka ndonjë propozim zoti Rama, ta bëjë, kur të dojë! Në qoftë se ka ndonjë propozim ndonjë ambasadë që flet për dialog, por që nxit sherr në Shqipëri, le ta bëjë, ta dëgjojmë!

Unë nuk pranoj asnjë propozim që dhunon parimet e shtetit të së drejtës në Shqipëri!

E ftoj zotin Rama të tregohet serioz dhe i përgjegjshëm! Ftoj edhe përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharakë, sepse ne kemi dhjetë vite që jemi vend i NATO-s!

Të mos tallen me Kushtetutën tonë! U tallën njëherë në vitin 2008 me Kushtetutën tonë apo e keni harruar? Kur i mbanin ison Edit dhe Doktorit që përmbysën Kushtetutën tonë apo e keni harruar? Një nga ata ambasadorë, i cili i mbante ison atëhere është prapë ambasador këtu. Ai diskuton për dekretin e Presidentit të Republikës! Ai diskuton për hallin e Idajetit! Ai diskuton edhe për Opozitën e Re të Unazës së Re e kështu me radhë.

Duhet të bëhemi popull dhe komb serioz! Duhet të jemi partnerë të denjë, konstruktivë me të huajt dhe duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu, si burra shteti!

Të heqim dorë nga “loja ambasadash”! Se kështu bënte “lojë ambasadash” edhe me reformën në drejtësi. A e mbani mend? Deri në fund! Dhe çdo përpjekje që bëja si kryetar i Parlamentit për konsensus, sepse konsensusi ishte aty, por ky nuk donte.

Ishin bërë një tufë intrigantësh, vendas dhe ndërkombëtarë, ngatërruam edhe dynjanë, ngatërronte edhe Lulin, siç e mbani mend – e zgjidha!

Për një minutë e zgjidha. E mbani mend? Apo e keni harruar? I thirra: – Hajdeni pak në zyrë këtu! U zgjidh! Kush nuk erdhi në takim? Vetëm Edi. Ai në qoftë se do prapë takim me prindër me Presidentin e Republikës, le t’i marrë ata amerikanët, europianët që nuk e lënë, të bëjnë një zgjidhje, të bëjnë një marrëveshje, t’i japin drejtim krizës.

Në qoftë se ata nuk vinë dot se unë nuk jam këtu, por janë diku tjetër, le të më thotë: ‘Të ikim në Amerikë’!

Se mua vizën amerikane ma jep Edi s’kam nevojë nga ambasada. Ai ua jep, ai ua heq të gjithëve! Edhe atyre të Kolegjit Zgjedhor, edhe atyre që kanë këto hallet e vetting-ut, që duhet të marrin vendime në emër të shtetit të së drejtës, etj., etj. Kur të dojë! Në Europë! Ku të dojë!

Unë kam bërë çdo përpjekje, ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos bëhet një vend qesharak! As para se të bëhej reforma në drejtësi, – se nuk kishin farë arsye pse të bëheshin qesharakë, – edhe për zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është një “Rama-formë”, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese, që u miratua me konsensusin e të gjithëve, ne nuk do të ishim në këtë situatë.

Cilët janë këtë ambasadorë, që kujtohen ditën e shtunë, një ditë para zgjedhjeve e thonë: Pas kësaj do ta bëjë Gjykata Kushtetuese…??!!

Kush e prishi KED-në dhe shortin që u hodh në mënyrën më transparente kur unë isha Kryetar i Kuvendit? A e mbani mend apo jo? Edi, sepse nuk i pëlqyen emrat që dolën nga kutia transparente, atje, përpara gjithë të tjerëve. Përdori një ambasador shumë të mirë, shumë të nderuar që nuk është më këtu, i cili për një javë pastaj i lutej Arta Dades – se e dinte që Artën unë e kisha pikë të dobët, – që ta prisja se e kishte gënjyer Edi dhe ia kishte futur fort.

Mirëpo na iku një vit KED-ja në, sepse KED-ja është institucioni që bën rankimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese. Kush bëri lojë përsëri me KED-në kur Ilir Meta ishte President i Republikës dhe thirri drejtuesin e Delegacionit Europian këtu pikërisht për t’ia bërë të qartë që të mos përsëriteshin problemet që u përsëritën me KED-në edhe në dhjetor të vitit 2016 bashkë me EURALIUSI-n e të gjenin një zgjidhje bashkë me të gjitha institucionet e pavarura?

Në mënyrë që ne të unifikonim kriteret, mbi të cilat propozoheshin anëtarët e KED-së e të mos kishim kontestime. Dhe interesante, pasi ramë dakord për çdo gjë, një ditë para, EURALIUS-i thotë: “Ne nuk vimë dot në takim, sepse kemi porosi politike.” Ta hetojë Bashkimi Europian nga ishte kjo porosi politike!

Unë letrat këtu i kam. Edhe me partnerët tanë të dashur amerikanë. Edhe me partnerët europianë. Dhe të shikojnë përse u kthye reforma në ‘Rama-formë’!

‘Rama-forma’ është një koloni e tiranisë personale të një regjenti të një fondacioni botëror.

Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë gjë, sepse Mujo Ulqinaku vërtet ishte një oficer i thjeshtë dhe i doli Italisë fashiste vetëm. Pse kujtoni se Mujo do të mundte Italinë?! Jo? Mujo Ulqinaku nderonte Lartmadhërinë. Prandaj shqiptarët çdo 7 prill nderojnë Mujon, nuk nderojnë Mbretin, pavarësisht nga punët e mira që Mbreti ka bërë për Shqipërinë, sepse historia nuk është ashtu siç u shkrua gjatë regjimit komunist.

Unë kam hallin e 17-18 tetorit. E gjithë jeta ime përmblidhet në tri gjëra:

E para demokracia e panegociueshme. Dhe demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet dhe të ketë besim te roli i vet në demokraci dhe për të ndikuar mbi vendimmarrjen dhe të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.

E dyta: është integrimi europian i Shqipërisë. Unë kam dalë me studentët që donin Shqipërinë si e gjithë Europa. Unë kam shkuar në takim me Ramiz Alinë atje bashkë me ata të tjerët dhe mendonim se do të përfundonim në Spaç më shumë se sa do të ktheheshim fitimtarë të ‘Qyteti Studenti’.

Dhe po kështu, i gjithë angazhimi im është që e gjithë Shqipëria të jetë faktor stabiliteti në Ballkan dhe në miqësi me fqinjët.

Kush e do Shqipërinë një koloni, që të pastrojë lekë, një koloni që të jetë bazë operacionale e krimit të organizuar ndërkombëtar, një “Kolumbi” në Europë, jo se nuk kemi nevojë! Boll e kanë një Kolumbi atje ku e kanë dhe shpresojmë që ajo të shpëtojë nga “Eskobarët” të cilët kanë ngelur atje! Dhe kush e do Shqipërinë si një vend që të krijojë probleme në Ballkan, mua më ka kundër!

Si President i Shqipërisë, por jo vetëm si president, por në radhë të parë si Ilir Meta.